E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis procesi, Haga: Kosova të argumentojë pavarësinë

 

Haga ka nisur procesin e vlerësimit të pavarësisë së Kosovës, duke i vendosur një afat të gjitha vendeve anëtare, për të dhënë mendimin e tyre, nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë është ilegale siç pretendon Beogradi. Të martën Gjykata e Drejtësisë në OKB, ka shprehur zyrtarisht kërkesën e saj, duke pritur përgjigje me shkrim deri më 17 prill të vitit të ardhshëm, ndërkohë që vendet do të kenë kohë më pas deri në 17 korrik, që të komentojnë për deklaratat e njëra-tjetrës. Procesi nisi pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një kërkesë të Serbisë, e cila pretendon nga Gjykata, që ajo të japë opinionin e saj rreth ligjshmërisë së deklaratës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia në muajin shkurt. Si Serbia, ashtu edhe Kosova kanë shprehur optimizmin se përfundimi i Hagës do të jetë sipas interesave reciproke të secilës palë. Megjithatë, sido që të jetë përfundimi, mendimi i Gjykatës nuk është i detyrueshëm ligjërisht. Gjykata i ka bërë ftesë edhe Kosovës të paraqesë argumentet e veta. Axhenda e kësaj gjykate e publikuar dje, nuk përmend paraqitjen e argumenteve gojore para 15 gjykatësve, edhe pse Gjykata më vonë mund të vendosë për seanca dëgjimore të hapura. Deri tani 51 shtete, përfshirë SHBA-në dhe vendet anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Dje mes Prishtinës dhe Beogradit nisën edhe negociatat e ndërmjetësuara nga eksperti për çështje kushtetuese, elektorale dhe të drejtësisë në OKB, Andrew Ladley, për të gjetur zgjidhje ndërmjet palëve rreth 6 pikave të përcaktuara nga Sekretari Gjeneral i OKB-së, Ban Ki Mun. Detyra e Ladley-t do të jetë gjetja e zgjidhjeve sa i përket doganave, policisë si dhe çështjeve akoma të pacaktuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përcaktuara edhe në letrën e Sekretarit Gjeneral, Ban Ki Mun.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›