Tenderët, gjermanët protestë qeverisë
fabiola Çela
Eshtë ftohje e qeverisë Berisha, apo mos impenjim i biznesit gjerman, kjo akoma nuk dihet. Dihet vetëm që bizneset gjermane nuk kanë fituar vitet e fundit asnjë tender për punët publike, që ofron qeveria shqiptare. Kjo situatë, duket se dje i ka kaluar caqet e diplomacisë, kur sekretari parlamentar i Ekonomisë në Gjermani e tregoi hapur në Tiranë shqetësimin e tij. Ai shfrytëzoi konferencën “Perspektivat e tregut në Shqipëri; Energjetika–Mjedisi–Ndërtimi”, me rastin e 20-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Gjermani. Dhe kjo ndodh në një moment kur Gjermania ka dhënë ndihmën më të madhe financiare për Shqipërinë krahasuar me të gjitha vendet e botës. Paratë gjermane në formën e kredive dhe granteve arrijnë në 700 milionë euro, rekord për nga popullsia. Por duket se këto para nuk kanë shtruar rrugën e afrimit të investitorëve gjermanë në Shqipëri. Këto para, nuk kanë krijuar afrimitetin e nevojshëm të qeverisë shqiptare me biznesin gjerman. Dhe kjo lloj politike fare mirë tregohet në punët publike që ofron qeveria. Firmat gjermane gjatë viteve të fundit janë shumë pak konkurruese në tenderë dhe në shumicën e rasteve jo fitues.
Ankesa
“Na është dashur të konstatojmë se atje ku firmat gjermane hyjnë në konkurrencë me firma të vendeve të tjera, shpesh herë nuk kanë dalë fituese. Në fushën e prokurimeve publike në Shqipëri ne nuk kemi vlerën që mendonim se do të kishim. Për këtë unë kam takuar tre ministra të qeverisë tuaj, si dhe kryeministrin Berisha dhe ramë dakord që Gjermania duhet të jetë më e përfaqësuar në investimet publike”, ka nënvizuar Hartmut Schauerte. Por Sekretari i Shtetit ka vijuar më tej duke hedhur hije dyshimi për lobingjet e qeverisë shqiptare, që kanë lënë jashtë firmat Gjermane. “Unë nuk kam asnjë shpjegim në lidhje me këtë situatë. Ne jemi duke kërkuar arsyet. Sigurisht që besoj se ato nuk kanë të bëjnë me cilësinë e punimeve dhe standardet që ofrojnë kompanitë tona, pasi në gjithë botën ne personifikohemi me fjalën e fundit të teknologjisë. Por shumë më të rëndësishme sesa arsyet e kësaj që ka ndodhur deri tani janë shanset që në të ardhmen kjo gjendje të përmirësohet”.
Politika
Zgjimi i gjermanëve për të kërkuar punë publike, me mbështetje politike vjen pas vizitës së Berishës në Berlin dhe takimit me Merkel. Dhe në fakt në fjalitë e tij para seminarit, Schauerte duket se i ka krijuar kushtet politike, që gjermanët të fitojnë tenderat në Shqipëri. Ai vlerësoi me fjali të përafërta me ato që kemi dëgjuar kohët e fundit për qeverinë shqiptare, por me një kontekst tejet pozitiv. “Procesi i Asociim-Stabilizimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe marrja e ftesës për anëtarësim në NATO janë një dëshmi shumë e mirë dhe kjo nuk është thjesht e thënë, por tashmë është e realizuar”. Por nuk mbaruan me kaq elozhet nga Sekretari i Shtetit Hartmut Schauerte. “Qasja juaj politike, pa diskutim, është bashkëkohore, moderne dhe efikase, në çdo formë dhe e ka shndërruar Shqipërinë një vend atraktiv në botë. I uroj vendit tuaj një zhvillim të mirë dhe Ju, një qeverisje të mirë dhe të gjatë”, përfundoi Schauerte.
Ekonomia
Ambasadori gjerman në Tiranën, nënvizoi se investitorëve të vendit të tij i mungon një kusht thelbësor për të drejtuar kapitalet nga Shqipëri. Sipas tij, zgjidhja e problemit amullik të pronësisë do të ishte çelësi i thithjes së investimeve. Nga ana tjetër Berisha, pasi nënvizoi të gjitha raportet e fundit që vlerësojnë qeverinë për reformat ftoi gjermanët të investojnë në energjetikë qoftë edhe nukleare. “Janë mbi 20 bilionë kilovatorë ujëra për t’u shfrytëzuar. Vendi ka lartësinë mesatare më të madhe në Evropë mbi nivelin e detit dhe gjithashtu, ka një platformë ere mahnitëse. Ndaj, ne mbetemi të hapur për prodhimin e energjisë nukleare, si dhe për të gjitha format e tjera të energjisë.”
Ruli: Në Porto-Romano ka dhjetëra pronarë
Projekti për ndërtimin e parkut energjetik në zonën e Porto-Romanos pritet të miratohet së shpejti në KRRTRSH. Aktualisht ky studim ka përfunduar dhe është në pritje të marrjes ‘OK’ për vlerësimin ambiental nga Ministria e Mjedisit. Kështu është shprehur dje në një prononcim për mediat kreu i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Gjatë prononcimit të tij, ministri ka vënë në dukje faktin se është pro investimeve private. Gjatë prononcimit të tij nuk kanë munguar as tonet ironike karshi deklaratave të opozitës. “Në gjumin e saj të natës opozita ndjehet e qetë se toka atje do menaxhohet më mirë po të jetë shtetërore”, është shprehur ai. Por sipas ministrit, parku energjetik duhet të jetë një investim tërësisht privat. Sipas Rulit, në këtë zonë prej 800 ha janë disa dhjetëra subjektet që zotërojnë aktualisht një të drejtë pronësie, mbi bazën e kontratave të blerjes së truallit në këtë zonë.