E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhet e fundit: Obama 8-13 pikë para Mekeinit

 

Duket se gjërat po shkojnë mirë për senatorin e Ilinoisit, Barak Obama, krahasuar me rivalin e tij republikan Xhon Mekein.   Sondazhi i fundit nga shoqëria “Zogby” e shikon në rritje avantazhin e Obamës karshi Mekeinit, tashmë kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë është tetë pikë para, që do të thotë dy më shumë se sondazhi i kryer të hënën. Obama, sipas të dhënave të fundit gëzon preferencën e 50 për qind të zgjedhësve, ndërsa Mekein të 42 për qind. Sondazhi telefonik parashikohet të gabojë maksimalisht me 2,9 për qind. Edhe dy sondazhe të tjera të kryera  nga rrjeti “Abc” dhe “Uashington Post” dhe një tjetër i televizionit “Cbs”, kanë deklaruar se Obama është në avantazh respektivisht nga 9 deri në 13 pikë kundrejt Mekein. Ndërkohë nga fushata e Obamës është njoftuar se kandidati do të pezullojë fushatën presidenciale për disa ditë gjatë kësaj jave për të vizituar gjyshen e tij të sëmurë në Havai. Lajmin e ka dhënë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Obamës, Robert Gibbs. Madelyn Dunham ka hyrë në histori pasi ishte zëvendëspresidentja e parë femër e një banke lokale në Havai. 86-vjeçarja e ka rritur Barak Obamën kur ka qenë i vogël. Edhe pse nuk janë dhënë detaje për sëmundjen e saj, njoftohet se ajo ka dalë nga spitali, pasi ka kaluar një periudhë mjaft të vështirë shëndetësore. Barak Obama ka folur gjatë për lidhjet e tij të forta me gjyshen, duke komentuar se ajo kishte vlera të fuqishme si individ, ndër të cilat pavarësia, llogaridhënia, dëshira për punë dhe dashuria për atdheun. Vendimi i Obamës për të anuluar dy aktivitete të fushatës, nuk do të thotë se ai do të anulojë tërë fushatën. Megjithatë, mungesa e tij këto ditë ndodh në një kohë kritike, kur kanë mbetur vetëm dy javë deri në ditën e zgjedhjeve më 4 nëntor. Obama do të rinisë fushatën e tij të shtunën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›