Fshatarët e Maliqit: Na trajtoni si Shkodra
Fermerët e prekur nga përmbytjet në fushën e Maliqit janë përplasur me policinë gjatë një proteste, me anë të së cilës kërkonin dëmshpërblim nga ana e qeverisë. Policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e turmës, për faktin se nga ana e kryepleqve të fshatrave nuk ishte njoftuar në kohë zhvillimi i protestës dhe marrja e masave nga ana e policisë. Fermerë të komunave Vreshtas, Libonik dhe Pirg kanë bllokuar rrugën nacionale Korçë-Pogradec, për shkak të dëmeve të shumta në bujqësi nga përmbytjet në fushën e Maliqit.
Ata kanë dalë herët në mëngjes në aksin nacional në fshatin Sovjan, aty ku duket edhe fusha e përmbytur për të bllokuar në shenjë proteste rrugën. Dhjetëra mjete nuk kanë pasur asnjë mundësi lëvizjeje, për shkak të protestës së fermerëve, gjë që ka sjellë kaos në trafik dhe si rrjedhojë edhe ndërhyrjen e policisë me përforcime për të larguar nga rruga banorët e zonave të prekura nga përmbytjet.
Fermerët e disa fshatrave kanë qenë duke kërkuar në këtë protestë ngritjen e një komisioni për verifikimin dhe vlerësimin e dëmeve. “Na është sosur durimi. Duam që shteti të vijë dhe të shikojë gjendjen e rëndë të krijuar në tokat tona. Kërkojmë që nga qeveria të ngrihet një komision për verifikimin e dëmeve dhe caktimin e dëmshpërblimit për çdo fermer të prekur nga përmbytjet. Askush nuk interesohet për dëmet që na janë bërë dhe qeveria duhet të kthejë kokën edhe nga ne, ashtu si bëri me zonën e Shkodrës ku njerëzit po dëmshpërblehen, edhe pse uji u ka ikur nga tokat, ndërkohë që ne vazhdojmë të jemi të përmbytur dhe nuk kemi asnjë mundësi për t’i mbjellë për këtë vit parcelat tona”, tha njëri nga organizatorët e protestës.
Në kohën kur disa nga fermerët u shtrinë në rrugë dhe të tjerët qëndronin në këmbë duke mbajtur parullat, policia ka ndërhyrë me forcë për shpërndarjen e turmës që kishte bllokuar rrugën. Sipas policisë, protesta ka qenë e paligjshme dhe për shkak të saj është bllokuar në mënyrë të jashtëligjshme qarkullimi rrugor, duke rënduar trafikun dhe duke lënë qindra mjete në radhë.
Uniformat blu kanë ndërhyrë për largimin e njerëzve dhe parullave nga rruga, duke mos kursyer edhe forcën ndaj disa protestuesve. Megjithëse ndërhyrja e policisë ishte energjike, situata nuk është acaruar dhe pas gjysmë ore protestat kanë liruar rrugën duke rënë dakord me policinë.
Por, sipas fermerëve, protestat e tyre do të vazhdojnë dhe do të jenë të përditshme derisa të ngrihet një komision dhe të caktohet dëmshpërblimi. “Do të largohemi, por protestat tona nuk përfundojnë këtu. Do ta bllokojmë rrugën përditë derisa shteti të kthejë kokën edhe nga ne”, tha njëri nga fermerët protestues. Për të paktën gjysmë ore lëvizja në aksin nacional Korçë-Pogradec është paralizuar në të dyja anët, ku janë krijuar radhë të gjata makinash. Fermerët kërcënojnë se do të përshkallëzojnë protestat deri në caktimin e dëmshpërblimit për ta.