Milionat ruse në NBA, Prokhorov blen Nets-at
Mikhail Prokhorov, njeriu më i pasur i Rusisë, zbarkon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miliarderi 44-vjeçar bëhet biznesmeni i parë i vendit të tij që hyn në sportin amerikan dhe do të jetë pronari i parë i huaj i një skuadre të kampionatit më spektakolar të basketbollit, NBA. Kompania e tij, "Oneksim" ka gjetur marrëveshjen me "Forest Siti Ratner" për blerjen e 80 për qind të Nju Xhërsi Nets dhe pagesën e 45 për qind të shifrës së nevojshme për ndërtimin e arenës së re sportive në Bruklin, Nju Jork. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia "Interfaks", e cila citonte një deklaratë të përbashkët për shtyp të dy kompanive. Në total, investimi i Prokhorov kap vlerën 200 milionë dollarë. Në këtë mënyrë, ai ndjek gjurmët e manjatëve të tjerë rusë, të cilët kanë investuar (si pronarë ose si aksionistë) në klube sportive. Ndryshimi i vetëm është që deri më tani, investimet e biznesmenëve lindorë ishin përqendruar të gjitha në futbollin europian: Roman Abramoviç te Çelsi dhe Alisher Usmanov, aksionisti i dytë më i madh i Arsenalit. Pasuria e oligarkut 44-vjeçar përllogaritet se është rreth 9.5 miliardë dollarë, ndërkohë që ai ka qenë protagonist edhe për një episod me "drita të kuqe" në lokalitetin francez, Kurshevel. Por Prokhorov, i gjatë 2,06 metra, është një ish-lojtar dhe tifoz i basketbollit. Në të kaluarën ka financuar klube të ndryshme sportive, mes të cilëve skuadra e basketbollit e CSKA-së, fituese e dy titujve në Euroligë.