Militantët e sulmojnë një bazë italiane në Afganistan

Qeveria afgane ka njoftuar se militantët kanë sulmuar një bazë italiane në perëndim të Afganistanit. Zëdhënësi i Ministrisë Brendshme, Zemeri Bashari, ka thënë se një sulmues vetvrasës ka hedhur në erë veturën e tij të mbushur me eksploziv në dalje të bazës derisa zhvillohej një përballje e armatosur.
Sipas tij nga shpërthimi ka pasur të plagosur, mirëpo nuk ka dhënë detaje të tjera.
Televizioni privat, Tolo, ka thënë se pas shpërthimit, disa militantë kanë sulmuar bazën në fjalë. Zëdhënësi i forcave të NATO-s, në Kabul., e ka konfirmuar se sulmuesit kanë goditur nga afër bazën italiane në Herat, mirëpo edhe ai nuk ka dhënë detaje të tjera.
Baza italiane është një kombinim i operacioneve ushtarake dhe civile që punojnë për t`i ndihmuar qeverisë të rrisë kapacitet e saj në këtë zonë.