E Diel, 1 Nëntor 2026

Milliband: Takim interesant me Ramën, po vjen ndryshimi i madh

Rama e Milliband dje në Londër

Kreu i Partisë Socialiste dhe delegacioni që e shoqëron, zhvilloi dje në Londër një takim me kreun e laburistëve anglezë, Ed Milliband. Rama gjatë takimit ka treguar rrugën që është duke ndjekur Partia Socialiste për të ardhur në pushtet dhe për idetë e hedhura në programin për një Rilindje Kombëtare. Kryesocialisti Rama ka kërkuar asistencën e partisë laburiste, me qëllim që ky program të jetë sa më i detajuar dhe frytdhënës. Gjatë takimit me ish-ministrin e Jashtëm David Milliband, njëkohësisht drejtor i Politikave në qeverisjen e Tony Blair, u fol edhe për procesin e formimit të programit, si dhe rëndësinë e përfshirjes së publikut në krijimin e politikave për qeverisjen e së nesërmes. Ndërkohë, deputeti labursit David Milliband, pas takimit me Ramën, shkruan në Twitter: Një takim shumë interesant me kryetarin e PS të Shqipërisë, Edi Rama. Po vjen një ndryshim i madh. Nga ana e tij, kryesocialisti në profilin e tij në Twitter i përshkroi si mjaft të rëndësishme këto takime. Tri orë plot energji dhe ide në mjediset e Parlamentit anglez. U takuam me Ed Milliband, Douglas Alexander, David Milliband e të tjerë, e komenton vetëm Rama takimin. Sipas zyrës së shtypit të PS-së, lideri laburist Ed Miliband e përgëzoi opozitën shqiptare për hapat e ndërmarrë në drejtim të përshpejtimit të procesit integrues të Shqipërisë në BE, si dhe nxiti zotin Rama në angazhimin për tu ofruar shqiptarëve një program qeverisës realist dhe të detajuar. Në të njëjtën kohë, zoti Miliband ofroi të gjithë mbështetjen e Partisë Laburiste për opozitën shqiptare dhe veçanërisht Partinë Socialiste, si partia simotër në Shqipëri, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të PS. Rama shoqërohej edhe nga kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrimin Ditmir Bushati, sekretari për Rininë dhe Emigracionin Erion Veliaj dhe drejtorin e Komunikimit, Endri Fuga.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›