E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Million dollars baby", në Milenium

17/03/2005  Filmi fitues i disa çmimeve Oscar, "Million dollars baby" me regji të Clint Estwood, pritet në fund të muajit të prezantohet edhe në sallat e kinemave "Milenium", një film i cili theu shumë rekorde në box-office. Por, për vitin e kalur, filmi epik ishte më i preferuari për shikuesit shqiptarë

Ajo ç'ka është më pozitivja, për të gjithë fanatikët e filmit është fakti se, "Milenium" ka siguruar marrëveshje kontraktuale bashkëpunimi me shumë nga kompanitë më të mëdha të distribuimit të filmit në botë, si "Buena Vista", "Warner Bross", "Miramax", "Sony", "Dreamworks" etj. Rezultat i këtij bashkëpunimi janë me dhjetëra prodhime hollivudiane që po shfaqen paralelisht në sallat e kinemave shqiptare, gati në të njëjtën kohë me prezantimin e këtyre filmave, edhe në vendet e tjera evropiane. "Million dollars baby", me regji të Clint Eastwood, (fitues i Oscar të regjisë, por edhe Oscar për filmin më të mirë) do të projektohet në fund të muajit. "Ky film është kontraktuar dhe në rast se nuk do të ndeshemi me asnjë vonesë, do të shfaqet në kinema më 31 mars", thotë për "Metropol", Eva Bashi, drejtoresha e marketingut të rrjetit të kinemave "Milenium", duke shtuar se po bëhen të gjitha përpjekjet për të sjellë edhe një tjetër fitues të shumë Oscar, "Aviatorin". "Ne përpiqemi të sjellim filmat më të mirë dhe më të suksesshëm, por është çmimi i filmit ai që na kufizon në disa raste. Ndërsa më parë ishin disa nga kompanitë distributore të filmave, që për arsye të piraterisë masive nuk pranonin të kontraktonin me ne", shpjegon Bashi, e cila shton se, edhe vetë kompanitë e huaja kanë kontakte të rregullta me ta në lidhje me numrin e shikuesve. Megjithatë, si pirateria e DVD-ve apo edhe ajo e transmetimeve dixhitale, vazhdon të përbëjë një problem për "Milenium". "Ajo çka është më e rëndësishmja është fakti se ne po përpiqemi të marrim edhe të drejtat e shpërndarjes së filmave, sikundër ndodhi me "Aleksandrin e Madh", një film që të drejtën e transmetimit televiziv e kontraktuam me TV Klan. Një hap tjetër i rëndësishëm mund të konsiderohet edhe e drejta e tregtimit të DVD-origjinale nga "Fantasy Home Video", të drejta që kushtojnë disa dhjetëra mijëra dollarë. Rezultati i këtij "ekspansioni" është i dukshëm. Publiku shqiptar, në këtë rast mund të ndjehet i "integruar" në realitetet globale, pasi mund të shikojë shumë filma që shfaqen paralelisht edhe në vende të tjera evropiane dhe jo vetëm.

Preferencat midis komedisë dhe epikës

Në vitet e fundit preferencat e publikut shqiptar kanë pësuar ndryshime. Ndërsa në vitin 2003 komedia ishte zhanri më i preferuar, vetëm një vit më pas, në 2004-ën, filmi epik do të pushtonte zemrat e shqiptarëve. "Në fakt, kjo varet edhe nga filmat që na ofrojnë studiot. Komedia ka qenë më e preferuar në vitin 2003, në raport me vitin e kaluar, ku dukshëm mbizotëroi filmi epik", shpjegon Bashi. Këto konstatime bazohen edhe në shifra. Vetëm në Tiranë, superproduksioni hollivudian "Troja", regjistroi 21 mijë shikues, ndërsa superproduksioni evropian "Aleksandri i madh", 16 mijë shikues. "Besoj se kjo diferencë ka ardhur si rezultat i gjatësisë së 'Aleksandrit', (rreth tri orë), duke e bërë të detyrueshme shfaqjen e tij një seancë më pak". Preferencat në lidhje me zhanrin janë të lidhura ngushtë edhe me moshën e shikuesve, që, gjithsesi duket të ketë kufizime në moshat mbi 40-vjeçare. Komedia duket që ka më shumë impakt te të rinjtë, ndërsa filmi epik, triller apo aksion, ka një ndërthurje moshash. "Gjithsesi, fansat tanë më të mëdhenj janë nga moshat 20 deri 30-35 vjeç", tregon Bashi. Ndërsa filmi i animuar, sipas Bashit, mund të konsiderohet një "dështim total", edhe pse në vendet e tjera fansat e këtij zhanri janë të shumtë. Filmi i ri "Meet the Fockers", pjesa e dytë e "Prindërit e nuses", besohet të tërheqë një numër të madh shikuesish, ashtu sikundër ndodhi edhe në sallat amerikane dhe ato evropiane, një film, i cili po shfaqet në "Milenium 2", që prej ditës së hënë. Në këtë panoramë të filmit në vendin tonë tërheq vëmendjen një mangësi e madhe. Filmi shqiptar! Në tre vitet e fundit janë shfaqur tri filma, një film në vit! Ende larg parametrave të dikurshëm në sasi, edhe pse shumë më i mirë në cilësi, filmi shqiptar jo vetëm që mungon në sallat e kinemave, por edhe nuk tërheq shumë shikues.

Rrethet, indiferente ndaj filmit

Pavarësisht se mund të konsiderohet si një nga format e pakta të argëtimit masiv, filmi vazhdon të shpërfillet në rrethe të ndryshme të vendit. Numri i shikuesve në sallat e kinemave "Milenium", vazhdon të jetë shumë i vogël, edhe pse çmimi i biletës varion nga 100 lekë deri në 200. "Eshtë për të ardhur keq, por, kjo është e vërtetë. Edhe pse kushtet e sallave tona janë shumë të mira, ato përsëri nuk frekuentohen. Nuk mund të them se fansat e filmit mungojnë, por, ndoshta përsëri ndikon pirateria lokale", thotë Bashi. Shikuesit më të pakët janë në qytetin e Elbasanit, ndërsa më të shumtit i ka Shkodra e më pas Korça. "Edhe këto dy qytete kanë një numër të kufizuar shikuesish, por gjithsesi lëviz diçka, ndërsa ajo që ndodhi në Durrës është gati e pabesueshme. Kinemaja u mbyll vetëm shumë pak kohë pasi u hap", thekson Bashi. "Natyrisht që po shikohen mundësitë e operimit të kinemave verore në vende që frekuentohen nga shumë pushues si Sarandë, Vlorë, pse jo edhe një provë përsëri në Durrës, por ende hezitojmë pasi ecuria e deritanishme na bën të jemi skeptikë, pasi investimi është shumë i madh". Ndoshta, në të ardhmen, kultura e filmit do të vijë duke u rritur, po edhe kur të ndalohet tërësisht pirateria, sallat e kinemave mund të mbushen edhe në rrethe.

Pirateria, "ortaku" i Milenium

Rrjeti i kinemave "Milenium", vazhdon ende të humbasë të ardhura të konsiderueshme nga pirateria e DVD-ve dhe jo vetëm. Humbjet janë të konsiderueshme, duke kapur rreth 30% të fitimeve, një humbje që mund të rritet, pasi ky rrjet ka siguruar edhe ekskluzivitetin në tregtimin e DVD-ve origjinale. Të licensuar si distributorë dhe duke i paguar detyrimet financiare ndaj "AlbaFilm", sikundër e kërkon edhe ligji, rreth 1% të xhiros totale, rrjeti "Milenium", si edhe kompania simotër "Fantasy Home Video" që do të distribuojnë DVD-të origjinale, nuk ndjehen të mbrojtura praktikisht ndaj piraterisë, e cila është shndërruar në një "ortak" të padëshiruar për ta. Ekzistenca e tregut të DVD-ve pirate, apo edhe transmetime të ndryshme dixhitale televizive, i shkaktojnë humbje të mëdha kësaj industrie. "Humbjet janë shumë të mëdha dhe mund të përllogariten në rreth 30% të fitimit total", thotë Eva Bashi. Natyrisht që bashkëpunimi me policinë tatimore shpresohet të jetë i frytshëm, por që, gjithsesi, do t'i tregojë rezultatet vetëm në përballje me shifra konkrete.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›