Romë, protesta para OSBE-së
Dje në mesditë qindra studentë, bashkatdhetarë me banim në Itali u mblodhën dhe protestuan në mbështetje të deputetëve grevistë përpara selisë së OSBE, Parlamentit Evropian dhe Misionit të Komisionit të Parlamentit Evropian. Manifestuesit vinin nga qytete të ndryshme të Italisë si Bologna, Prato, Ancona, Firenze, Roma, Ravenna, Brescia, Milano etj. Manifestimi u përshëndet edhe nga parlamentarët e majtë Zanotti e Leone, të cilët u impenjuan se do të sensibilizojnë institucionet italiane për një zgjidhje sa më të shpejtë të krizës. Protestuesit u shprehën se janë në unison të plotë me atë që kërkojnë deputetët në grevë urie, të cilët kanë ndërmarrë sakrificën sublime për t'i thënë jo vjedhjes dhe manipulimit të votës së lirë nëpërmjet një Kodi zgjedhor. Studentët dhe pjesëmarrësit në takim, mbanin në duar pankarta ku kërkonin angazhimin e OSBE-së dhe të Komunitetit Evropian në garantimin e standardit të gjithëpërfshirjes dhe transparencës në procesin e përgatitjes së Kodit Zgjedhor.