Protesta, Bumçi: Qytetarët i dhanë Ramës leksionin që meritonte
Vetëm një ditë nga protesta e organizuar nga opozita, ka reaguar Partia Demokratike nëpërmjet zëdhënësit të grupit parlamentar, Aldo Bumçi. Deputeti Bumçi tha se qytetarët e Tiranës i dhanë Edi Ramës një leksion me mospjesëmarrjen e tyre në miting. Sipas tij, qytetarët e kuptuan se protesta nuk kishte të bënte me Gërdecin, por me interesa të ulëta politike. Bumçi tha se qytetarët kanë kuptuar se nuk mund të protestohet me Ramën kur ai ka pasur biznes me Delijorgjin. “Ky miting nuk kishte të bënte me përkujtimin e viktimave të Gërdecit, por për të deformuar suksesin më të madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, anëtarësimin e plotë në NATO, sesa për të zhvilluar një betejë brenda të majtës shqiptare. Qytetarët e Tiranës me mospjesëmarrjen e tyre i dhanë Edi Ramës, njeriut të mitingjeve funebre politike, leksionin që meritonte”, - deklaroi Bumçi. Ai e cilësoi të dështuar mitingun e socialistëve, madje thjesht një demonstrim forcash mes dy partive opozitare. “Me Delijorgjin dhe paratë e tij ke kaluar pushime të përsëritura në hotelet më luksoze të Evropës. Ndërkohe që me Delijorgjin ke të gjithë fitimin e 30 shesheve dhe lejeve të ndërtimit, ndërkohë që prej një viti nuk guxon të shqiptosh emrin e tij”, - shtoi Bumçi.