Pronat, Madhi: Jo protagonizëm mediatik me procesin
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Republikane, Arjan Madhi, deklaroi dje se nuk duhet bërë protagonizëm mediatik me problemin dhe procesin e pronësisë. I pyetur nga media në lidhje me deklaratën e shoqatës së ish-pronarëve për ankimimin në Gjykatën Kushtetuese për ndryshimet në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave, Madhi u shpreh se kjo është thjeshtë një show mediatik. “Në qofte se persona të caktuar kërkojnë të realizojnë një protagonizëm mediatik, atëherë janë të lirë ta bëjnë në çdo rast. Nëse persona të caktuar kërkojnë ta fragmentarizojnë pikërisht procesin e kontributeve për kthimin dhe kompensimin e pronave kjo është çështje e tyre. Ne republikanet mbetemi përsëri të vendosur të punojmë maksimalisht”, - tha Madhi. Sipas vendimit të fundit të qeverisë, 4 mijë ha tokë në 5 qytete në bregdetin e Adriatikut janë inventarizuar toka publike, që do të kalojnë tek pronarët përmes procedurave të Ministrisë së Drejtësisë. “Ka dhe toka të pafrytshme, por që nuk mund të mos ndodhë që të shfrytëzohen qoftë dhe për interesa të ndërtimit, por me troje janë rreth 30 mijë hektarë, çka do të thotë që në një masë të përgjithshme janë rreth 130 mijë hektarë”, - deklaroi Madhi.