E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefer, letër Bashës: Urdhëroni në NATO



Akti i fundit zyrtar i hyrjes së Shqipërisë në NATO do të kryhet sot në një ceremoni të veçantë në Uashington, teksa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hup Shefer, ka bërë ftesën për Shqipërinë. Në një letër drejtuar dje ministrit shqiptar të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, Sheferi bën të ditur se Shqipëria do të jetë anëtare e NATO-s. Letra zyrtare informon ministrin Basha se protokollet e aderimit janë ratifikuar nga të gjitha vendet si dhe rrjedhimisht ato kanë hyrë në fuqi. “Jam i lumtur t’ju informoj se të gjitha palët në Traktatin e Atlantikut të Veriut kanë notifikuar pranë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikimin e Protokolleve të Aderimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, nënshkruar në Bruksel më 9 korrik 2008. Rrjedhimisht, protokollet kanë hyrë në fuqi”, - i shkruan Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ministrit Basha. Më tej në letër, Sekretari i Përgjithshëm kryen veprimin e tij zyrtar si kreu ekzekutiv i NATO-s, duke informuar qeverinë shqiptare se ka ftesën zyrtare për t’u bërë anëtare e NATO-s. “Në emër të të gjitha palëve, jam veçanërisht i nderuar t’i komunikoj qeverisë së Republikës së Shqipërisë ftesën për të aderuar në Traktatin e Atlantikut të Veriut”, - thotë Sheferi në letrën e tij. Ai njëkohësisht, bën më dije se procedura e fundit burokratike dhe ligjore është depozitimi i Protokollit të Aderimit në qeverinë amerikane. “Në përputhje me nenin 10 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, Republika e Shqipërisë do të bëhet palë në këtë traktat ditën e depozitimit të instrumentit të saj të aderimit pranë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, - i shkruan Sekretari i Përgjithshëm Bashës. Njëkohësisht, në fund të letrës së tij drejtuar Bashës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shpreh kënaqësinë në emër të të gjitha shteteve anëtare të NATO-s për anëtarësimin e vendit tonë në Aleancën e Atlantikut.

Me marrjen e kësaj letre, ministri Basha ka udhëzuar ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Uashington, të depozitojë instrumentin e ratifikimit të Aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas konfirmimit nga Ministria e Jashtme, depozitimi i instrumenteve të ratifikimit do të kryhet sot, në një ceremoni të përbashkët të ambasadorëve shqiptarë dhe kroatë në Uashington. Depozitimi i instrumenteve të ratifikimit të NATO-s tek qeveria e SHBA-ve bëhet në një ditë kur hyn në fuqi edhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit. Shqipëria dhe Kroacia u ftuan për të aderuar në NATO në samitin e një viti më parë në Bukuresht. Më pas, ministri i Jashtëm shqiptar nënshkroi protokollin e NATO-s më 11 korrik të vitit të kaluar. Protokollet e anëtarësimit u nënshkruan nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s në korrik të vitit 2008 dhe në një kohë rekord në historinë e Aleancës, ato u ratifikuan nga parlamentet e 26 vendeve anëtare të saj, çka bëri të mundur ftesën zyrtare të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.

Në samitin e Strasburg/Kehlit, Shqipëria merr pjesë si anëtare e aleancës politike dhe ushtarake më të fuqishme që ka njohur historia, duke siguruar të ardhmen, lirinë dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror. Flamuri shqiptar do të radhitet krahas 26 flamurëve përpara selisë së NATO-s në Bruksel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›