E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Pas 28 qershorit, të kemi një Parlament të ri

Kreu i G99-ës, Erion Veliaj, zhvilloi një tur takimesh në qytetin e Vlorës, bashkë me kandidatin e G99-ës në këtë qark, Genc Kojdheli.

Gjatë takimit të zhvilluar në Pallatin e Kulturës, Veliaj tha: "Unë kam një ëndërr, ëndrra ime është që pas 28 qershorit të mund të kemi një Parlament të ri dhe një qeveri të re, qe të punojë për mbi 3 milionë shqiptarë". "Lajmi i mirë, shtoi më tej kreu i G99-ës, është se kjo nuk do të mbetet thjesht një ëndërr, por do të jetë realiteti ynë i përbashkët më 29 qershor". Kandidati për deputet në Qarkun e Vlorës, Genc Kojdheli, shprehu besimin se

të rinjtë, si ata të G99-ës, të cilët treguan se mund të organizohen edhe pse skeptikët e cinikët nuk e besonin këtë gjë, do të jenë fitimtarë në këto zgjedhje dhe se për herë të parë ata do të mund të marrin në duar fatet e tyre. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe tre personazhe të "Big Brother": Adi, Bjordi dhe Adelajda, tre aktivistë të G99-ës, të cilët i ftuan qytetarët e Vlorës që të votojnë për këtë forcë politike. Në Vlorë, kreu i G99-ës, Veliaj, ka vizituar edhe një ndërmarrje fasone, ku u takua me punëtorët dhe drejtuesit e asaj ndërmarrjeje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›