E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: PS, ide komuniste për reformën në shëndetësi

Kandidati i 12-të në listën e demokratëve për Qarkun e Tiranës, Tritan Shehu, tregon pesë avantazhet e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit dhe pesë dizavantazhet e Partisë Socialiste. Shehu komenton listën e kandidatëve të partisë kryesore të opozitës duke thënë se "një pjesë e madhe e figurave më të ekuilibruara dhe më kontribuuese të Partisë Socialiste janë eliminuar nga lista e kandidatëve ose janë vendosur në pozicione formale që s‘mund të arrijnë të fitojnë". Sipas tij, "kjo është një mungesë e profesionalizmit të thellë që ekziston për të eliminuar konkurrentët realë brenda kësaj force politike, sesa në dëshirën për të fituar zgjedhjet dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit".

Zoti Shehu, pse vendosët pas shumë vitesh të rikandidoni në siglën e Partisë Demokratike?

Sepse unë jam anëtar i Partisë Demokratike. Jam një nga të cilët kam kontribuar në lëvizjen e Partisë Demokratike që në themelimin e saj. Jam njeri që e gjej veten te programi i Partisë Demokratike dhe qendra e djathtë shqiptare. Kam bashkëpunuar shumë ngushtë me kryetarin e PD-së dhe kam një besim dhe jam i sigurt në qeverisjen e ardhshme të PD-së. Unë në këtë formacion politik gjej vlerat që përputhen me vizionin tim dhe vlerat që ka kjo parti për të çuar këtë vend përpara.

Cilat janë pesë avantazhet me të cilat PD paraqitet përballë elektoratit?

Së pari, PD është forca më progresiste e Shqipërisë. Është forca politike që mposhti komunizmin, hapi dyert e këtij vendi dhe i dha Shqipërisë lirinë. Së dyti, PD hyn në këto zgjedhje si partia e premtimeve të mbajtura, pasi ajo ka tejkaluar premtimet e saj qoftë në fushën ekonomike dhe integruese dhe si rrjedhim ka të drejtën morale t‘i kërkojë palës shqiptare një mandat të dytë. Së treti, PD ka vizionin më të qartë për të qeverisur katër vitet e ardhshme, ka ide të qarta, ka një program të qartë dhe një program që bazohet në ato që është bërë në katër vitet e kaluara. Së katërti, PD është forca politike më perëndimore, është anëtare e Partisë Popullore Evropiane, që fitoi 24 nga 27 vende të Bashkimit Evropian dhe ka shumicën në Parlamentin Evropian. Së pesti, Partia Demokratike ka njerëzit më të mirë dhe njerëz që kanë kontribuar në strukturën e saj dhe nuk kanë ardhur me parashutë katër ditë përpara zgjedhjeve. Njerëz që e kanë bazuar dhe bazojnë atë që kanë bërë dhe atë që do të bëjnë. Kjo në listën e Partisë Demokratike fillon që me Kryeministrin Berisha që është njeriu që mposhti komunizmin edhe njeriu që ka premtuar integrimin e Shqipërisë.

Sipas gjykimit tuaj, cilat janë pesë dizavantazhet e kampit kundërshtar në këto zgjedhje parlamentare?

Mendoj se kampi kundërshtar ka mjaft dizavantazhe. Së pari, kampi kundërshtar vjen nga një qeverisje tetëvjeçare e dështuar. Ajo ishte një qeverisje e mbushur plot me korrupsion, me banda kriminale dhe që nuk arriti t‘i japë Shqipërisë ritmet e integrimit. Qeverisja 8-vjeçare e Partisë Socialiste ishte apatike. Së dyti, mendoj se kampi kundërshtar vjen nga Partia e Punës, e cila u shpërnda për të formuar Partinë Socialiste. Së treti, mendoj se Partia Socialiste nuk po arrin dot të shprehë një program të qartë për katër vitet e ardhshme. Deri tani, ata nuk kanë shprehur asgjë të shëndoshë dhe asgjë vizionare për të ardhmen. Ka vetëm retorika boshe. Unë po marr vetëm një pikë të rëndësishme, shëndetësinë. Në reformën shëndetësore, Partia Socialiste është pa vizion. Ajo në konceptin e saj të kujton regjimin komunist, duke kërkuar ta kthejë shëndetësinë në një sektor krejtësisht të kontrolluar nga shteti, nga qeveria qendrore dhe të ndërtuar mbi frazeologji false të shëndetësisë falas për të gjithë. Duke tentuar të heqë elementet e së ardhmes që e çojnë shëndetësinë përpara, siç funksionon në të gjithë botën. Ata kërkojnë të zhdukin transparencën në shërbimin shëndetësor. Pra, ata janë shprehur për shëndetësinë dhe për mua kjo ide është shkatërruese. E fundit, Partia Socialiste paraqitet në këto zgjedhje, pa kokë. Të jep përshtypjen e një partie të dekapituar. Në listat e kandidatëve të saj mungon numri një. Kjo pa dyshim nuk mund të mos krijojë përveç konfuzionit, por të krijojë bindjen se kjo ndodh për shkak se ata janë koshientë për humbjen dhe kërkojnë të ruajnë me çdo kusht karrigen e Bashkisë së Tiranës.

Përtej pozicionimeve të fushatës, nëse do t‘u duhej të vlerësonit njërin prej kandidatëve kundërshtarë në qarkun tuaj, cili do të ishte ai?

Në kampin kundërshtar ka edhe figura politike me vlerë, vizion dhe eksperienca politike. Por një gjë shikoj me çudi dhe keqardhje që një pjesë e madhe e figurave më të ekuilibruara dhe më kontribuuese të Partisë Socialiste janë eliminuar nga lista e PS-së ose janë vendosur në pozicione formale që nuk mund të arrijnë të fitojnë. Kjo është një mungesë e profesionalizmit të thellë që ekziston për të eliminuar konkurrentët realë brenda kësaj force politike, sesa në dëshirën për të fituar zgjedhjet dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit. Unë mendoj se ky është një tjetër handikap, por shoh që personat me vlera janë shumë më të pakët në listën e PS-së sesa kapaciteti që ka kjo parti.

CV

Tritan Shehu

-ka qenë ministër i Shëndetësisë në vitet 1992-1994

-ka qenë ministër i Jashtëm dhe zv.kryeministër në 1996-1997

-ka qenë sekretar i Përgjithshëm i PD-së në vitet 1994-1996

-ka qenë kryetar i Partisë Demokratike në vitet 1996-1997

-që prej vitit 2002 ka qenë zv.kryetar i Partisë Demokrate të Re



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›