Mimi Kodheli, as nuk di, as nuk pyet të paktën

Arritjet e qeverisë, që për Mimi Kodhelin janë “lëvdata”, sigurisht që nuk ka si të kapërdihen as nga ajo, as nga Edi Rama dhe as nga kush do tjetër në PD dhe në opozitë, janë fakte “kokëshkrete”, që pavarësisht (mos)dëshirave të njërit apo tjetrit, nuk mund të mos njihen, e për pasojë nuk mund të mos pranohen.
Të ngritur në “institucion” vjelljen e vrerit ndaj çdo arritje të qeverisë, Mimi Kodheli nuk kishte si të sillej as dje ndryshe, nga ajo vetë, por edhe të tjerë sipër e nën atë në piramidën e PS-së, duke mos lënë pas dore as Edi Ramën, nga të gjithë këta së bashku, apo veç e veç, janë sjellë, ku ju është dashur të vjellin vrer edhe kur Shqipëria ishte në prag të hyrjes në NATO, edhe tani kur Shqipëria ndodhet në prag të liberalizimit të vizave edhe tani kur Shqipëria ndodhet në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Këtë natyrisht e kanë bërë me metodat e tyre “të zgjedhura”..., herë-herë duke protestuar në ditën e hyrjes së Shqipërisë në NATO, herë-herë duke vënë në dyshim sigurinë e kartave të identiteti dhe pasaportave biometrike, dhe herë-herë duke bojkotuar Parlamentin, apo duke u shtrirë rrugëve në zonat urbane e rurale të vendit deri edhe duke u ngujuar me erës së urinës e qofteve në çadrat e pretenduara të grevës së urisë, diku përballë kullave binjake.
Dhe kur Mimi Kodheli, të tjerët poshtë edhe sipër saj në hierarkinë e PS-së, deri edhe te Edi Rama, u bindën se sikurse nuk mund të ndalnin hyrjen e Shqipërisë në NATO, nuk mund të ndalin as liberalizimin e vizave, por as marrjen e statusit të vendit kandidat, koha çuditërisht punonte kundër këtyre, për deri sa i vuri përballë arritjes, apo suksesit të radhës të qeverisë, i cili sikurse dukshëm bie në sy, është boom-i turistik.
Dhe pas kësaj arritje dhe suksesi tmerrues të qeverisë, Mimi Kodheli, të tjerë poshtë e sipër saj në strukturat e PS-së, deri edhe te Edi Rama, nxituan me të njëjtat metoda, ku protestat e sajuara mbanin peshën kryesore, të zbehnin sadopak arritjen dhe suksesin e radhës të qeverisë.
Kulmin e arriti Mimi Kodheli dje, kur e irrituar me boom-in e vizitorëve shqiptarë e të huaj, që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet në Shqipëri, nuk mundi të përmbahej kur artikuloi se, “Sali Berisha numëron për turistë çdo qytetar shqiptar apo të huaj, që kthehet nga emigracioni apo që tranziton në Shqipëri, për arsye që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me turizmin”.
Padyshim, në formë parantezë, është Mimi Kodheli që nuk ka ndonjë lidhje me PS-në. Se po të kishte ndonjë lidhje të tillë, ajo do të kujtohej se as më shumë e as më pak edhe Bashkim Fino, ish-Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit në vitet 2003 e 2004, këtë “mënyrë numërimi” përdorte. Për këtë Mimi Kodheli, natyrisht mund edhe të ketë dëgjuar, por ajo që asaj nuk i vjen mirë ta kujtoj ka të bëjë me atë se, ndërsa në 28 dhjetor 2004, Bashkim Fino, ish-Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit numëronte për të gjithë atë vit, jo më shumë se 370.000 (vizitorë + turistë), Mimi Kodheli duhet të kuptojë se kjo shifër, me gjithë rritjen me 70.000, krahasuar me vitin 2003, është më e vogël se 389.528, aq sa është numri vetëm i shtetasve të huaj, që kanë hyrë në Shqipëri vetëm për pesëmbëdhjetëditëshin e parë të muajit gusht të vitit 2010.
Po të hyjmë më thellë në llogaritë e krahasuara, ky numër i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri, vetëm për periudhën 1 qershor 2010 – 15 gusht 2010, i cili llogaritet në 1.167.949, është më se trefishi i 370.000 (vizitorë + turistë), që ish-Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, numëronte për gjithë vitin 2004.
Në qoftë se, për inat të Mimi Kodhelit, do të injorojmë irritimin e saj dhe do të këmbëngulim të numërojmë për turist “çdo shqiptar apo të huaj, që kthehet nga emigracioni apo që tranziton në Shqipëri”, atëherë duhet t’i kujtojmë Mimi Kodhelit, se në total ky numër, vetëm për periudhën 1 qershor – 15 gusht 2010, arrin në 2.100.743, një numër ky, rreth 6 herë më i madh se 370.000 (vizitorë + turistë), që ish-Ministri i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, numëronte për gjithë vitin 2004...
Në qoftë se shifrën e 370.000 (vizitorë + turistë) të ish-Ministrit të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, për vitin 2004, Mimi Kodheli do ishte kujtuar ta krahasonte vetëm me numrin 518.00, të automjeteve të cilët nga data 18 qershor deri në datën 16 gusht kanë kaluar nëpër tuneli e Kalimashit, ajo të paktën do të kishte kuptuar që nuk duhet të lejonte të tallej me veten, sikurse e bëri dje...
Ndaj Mimi Kodheli, me gjithë inatin dhe irritimin që nuk mund ta fshehë së demonstruari, për aq kohë, sigurisht të konsiderueshme, që nuk ka pasur lidhje më PS-në, të paktën të konsultohet me personat me përvojë dhe me lidhje më të hershme në këtë parti. Sepse, sepse, në qoftë se të paktën, do e kishte marrë mundimin të konsultohej me Bashkim Finon, ish-Ministrin e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit, ai (Bashkim Fino), më e pakta do ta kishte këshilluar të hiqte nga deklarata e saj frazën “Sali Berisha numëron për turistë çdo qytetar shqiptar apo të huaj, që kthehet nga emigracioni apo që tranziton në Shqipëri, për arsye që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me turizmin”, dhe më e shumta do t’i hakërrehej, “rri urtë ti moj b..., mos ia fut kot”...