Vera e 2010-s, rekord pushuesish në brigjet shqiptare

Shqipëria pret më shumë vizitorë sesa çka banorë të përhershëm. Kryeministri premton se për vitin e ardhshëm në buxhetin e shtetit do fuqizohen investimet për turizmin, për t’i dhënë një dimension zhvillimit të këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare
Kreu i qeverisë Sali Berisha përsëriti dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se Shqipëria është vizituar nga një numër rekord pushuesish, të cilët zgjodhën brigjet shqiptare për të kaluar pushimet e tyre. Sipas kryeministrit kjo përbën një zhvillim të rëndësishëm, pasi turizmi është një nga degët kryesore të ekonomisë në vend.
“Këtë vit, Shqipëria pret më shumë vizitorë se çka banorë të përhershëm dhe unë ju garantoj që kjo rritje nuk do të ketë të ndalur”, u shpreh kryeministri.
Berisha vijoi se turizmi është bërë me një shpejtësi marramendëse, një ndër degët më kryesore të kësaj ekonomie dhe kjo brenda një kohe shumë të shkurtër.
“Këtë vit, rritja e vizitorëve krahasuar me vitin 2004 mund të arrijë në 12 herë. Ky do të jetë viti i parë në historinë e këtij vendi, që Shqipëria ka pritur më shumë vizitorë se çka banorë brenda saj. Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv. Por përpjekjet e bëra sigurisht kanë qenë të shumta. Investime masive janë adresuar në zonat turistike nga Velipoja deri në Ksamil. Këto investime ne tërësi në infrastrukturë tejkalojnë 1 miliard euro. Megjithatë, rritja është marramendëse, çka do të thotë që secila ministri të investojë në fuqizimin dhe zhvillimin e kapaciteteve turistike të vendit. Nuk mund të mendohet, se me 3,5 milion vizitorë, që vizituan Shqipërinë këtë vit, megjithëse shifrat vijnë duke u rritur vazhdimisht, ky problem mund të marrë përgjigje vetëm nga Ministria e Turizmit. Ky është një problem shumë kompleks. Ky është një problem, i cili duhet ridimensionojë tërësisht qëndrimin e agjencive tona, ministrive tona, ndaj këtij fenomeni jashtëzakonisht pozitiv. është një burim të ardhurash jashtëzakonisht pozitiv për ekonominë. Përpjekjet kanë qenë serioze dhe të mëdha, nga të gjitha agjencitë dhe institucionet dhe pse duhet të njohin rritje të shpejtë dhe konsolidim të madh”, u shpreh kryeministri.
Berisha theksoi se resurset buxhetore që pritet të pësojnë rritje nga turizmi i madh që u shënua këtë verë do ndikojnë direkt në buxhetin për vitin e ardhshëm.
“Vendi po krijon imazh pozitiv. Turizmi është burimi pozitiv i të ardhurave për buxhetin e vitit 2011”, tha kryeministri.
Shefi i ekzekutivit kërkoi gjithashtu nga të gjitha ministritë të investojnë për fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve turistike në vend. Kryeministri kërkoi nga ministritë, që krahas hartimit të buxhetit, në përputhje me strategjitë sektoriale të miratuara, të bëhet riorientimi mëtejshëm i resurseve buxhetore drejt industrisë turistike dhe turizmit.
“Në buxhetet tuaja duhet të parashikoni dhe përparësoni çdo problem që lidhet me turizmin. Duhet të përparësojë mjedisi, duhet të përparësojë shëndetësia, bujqësia. Duhet të përparësojë dhe ka përparësuar ministria e Punëve Publike, Ministria e brendshme, Ministria e Financave dhe të gjitha ministritë”, deklaroi kryeministri Berisha.
Duke e vlerësuar zhvillimin e turizmit këtë vit si një burim shumë të rëndësishëm të ardhurash për ekonominë, kryeministri u shpreh se ky fenomen jashtëzakonisht pozitiv duhet të ridimensionojë tërësisht qëndrimin e agjencive përkatëse dhe ministrive për një rritje të mëtejshme të tij.
Në këtë kontekst, kryeministri kërkoi që në buxhetin e viti 2011 të parashikohet përfundimi i të gjitha impianteve të përpunimit të ujërave, të cilat janë në ndërtim e sipër, në të gjitha zonat turistike. Gjithashtu për sa i përket infrastrukturës, kryeministri kërkoi të parashikohen të gjitha resurset për kompletimin përfundimtar të saj, jo vetëm drejt zonave turistike, por gjithashtu drejt parqeve arkeologjike, zonave historike, në mënyrë që vizitorët t’i gjejnë sa më lehtë ato.
“çdo vizitor i huaj që vjen në Shqipëri do të donte të kishte mundësi të vizitonte Beratin , Butrintin, Gjirokastrën, pasi këto janë vende tashmë të njohura, për pasurinë e tyre në fondin botëror të kulturës. Në këtë kontekst, duhet të ecim përpara me rrugët, në mënyrë ky fluks i madh vizitorësh t’i gjejë dhe ti arrijë sa më lehtë këto vende”- tha Berisha.
Në këtë kontekst, një porosi të veçantë kam për Beratin. Boshti i Jugut po vazhdon, por dhe segmenti Lushnje-Berat duhet të jetë përparësi madhore e muajve që vijnë sepse Berati është në hartën e trashëgimive kulturore botërore. çdo vizitor i huaj që vjen në Shqipëri do të donte të kishte mundësi të vizitonte Beratin, Butrintin, Gjirokastrën pasi këto janë vende tashmë të njohura për pasurinë e tyre, në fondin botëror të kulturës. Kështu që duhet të përparësojmë. Duhet të përparësojmë edhe për atë rrugë, ndërkohë që punimet duhet të vazhdojnë për boshtin e Jugut”, deklaroi Berisha.
Sipas kryeministrit, këtë vit, Shqipëria pret më shumë vizitorë se asnjëherë tjetër dhe kjo lidhet me interesin në rritje të të huajve drejt Shqipërisë.
“Lidhet imazhin e përmirësuar të Shqipërisë, çmimet e që kanë vendosur pronarët e hoteleve, apartamenteve dhe me këtë i japin një kontribut të madh vendit, pasi kanë bërë që qytetet tona të mbushen me vizitorë. Këtu ka ndikuar edhe ushqimi shumë i shijshëm.
“Në një udhëtim që ka bërë në Perandorinë otomane, Andrè Zhid (Gide) shkruajti për vendin tonë: ‘aty gjeta dy gjera më impresionuese, njëra ishte ushqimi i shijshëm dhe tjetra ishin burrat e bukur’. Kur e lexova për herë të parë, shumë e shumë vite me parë, mendova se shqiptarët nga fanatizmi nuk i kishin nxjerrë gratë, kur u thellova me tej zbulova se ai kishte qenë gej. Le të përpiqemi, pra që në këtë buxhet zërat për turizmin ti fuqizojmë sa më shumë”, vijoi më tej, Berisha.
Të dhënat e fundit
Në tunelin e Kalimashit kanë kaluar 518 mijë automjete
Kryeministri Sali Berisha informoi dje në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave se në harkun kohor të një muaji tuneli i Kalimashit, pjesë e autostradës Durrrës-Kukës-Morinë, është përshkruar nga 518 mijë automjete. “Dua të theksoj edhe njëherë se nga data 18 qershor deri në datën 16 gusht tuneli i Kalimashit është kaluar nga 518 mijë automjete, në një hark kohor dy mujor, pra një efekt pothuaj magjik, pasi magjia nuk qëndron vetëm në mistere. Ajo qëndron edhe në gjëra jo misterioze”, u shpreh kryeministri Berisha.
Rreth 12 mijë turistë shqiptarë dhe me shumë së 3 000 automjete lëvizin çdo ditë nëpër këtë rrugë. Vetëm gjatë muajit korrik këtë rrugë e përshkuan 518 mijë persona, ndërkohë që një fluks më i madh vërehet edhe gjatë muajit gusht.
Tuneli i Kalimashit, me gjatësi rreth 6 kilometra, është pjesa më e rëndësishme dhe më tërheqëse e rrugës së re. Në njërin prej dy tuneleve kompania amerikane turke “Bechtel & Enka” vazhdon ende punimet, ndërsa automjetet lëvizin vetëm nëpër tunelin e krahut lindor, i cili është ende me një kalim. Për tunelin tjetër autoritetet shqiptare kanë thënë se do të jetë i gatshëm për qarkullim më së largu në tetor.