E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minarolli: Protesta e PS-së në Athinë, një sajesë



Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Vili Minarolli, në një deklaratë dhënë dje për media, u shpreh i habitur në lidhje me lajmin e organizimit të një proteste të madhe të Partisë Socialiste në Athinë. Minarolli tha se pasi u interesua tek drejtuesit e PS-së në Athinë, rezultoi se protesta e opozitës ishte një sajesë e tre deputetëve të PS-së, që, sipas tij, organizuan një shfaqje të turpshme. "Me datën 2 dhjetor, duke dëgjuar pasqyrën e shtypit shqiptar, u habita kur mësova se një natë më parë ishte bërë “Një protestë e madhe” përpara hyrjes ku bëhej konferenca, nga PS-ja e Athinës dhe emigrantët për “votën e vjedhur”. Pas kësaj pyeta disa drejtues të PS-së në Athinë dhe ata më informuan se gjithçka ishte sajesë e tre deputetëve të PS-së që kishin organizuar një “shfaqje të turpshme” të disa dhjetëra emigrantëve vetëm e vetëm që të mashtronin publikun në Shqipëri. Pjesëmarrësit ishin edhe socialistë, por shumica klientë të një klubi në “Omonia” që i kishin marrë me dy autobusë, pasi i kishin qerasur në klub. PS e Athinës, partnere e PASOK-ut, ishte distancuar nga ky inskenim dhe për këtë i kishin drejtuar edhe një deklaratë me shkrim departamentit me jashtë të PASOK-ut, me të cilin mbajnë kontakte të vazhdueshme”, - thuhet në deklaratën e ambasadorit Minarolli. Ambasadori tha më tej se është gënjeshtër që protesta u mbështet nga strukturat e PASOK-ut. “Po ashtu, më thanë se edhe nga ana e tyre partnerët partiakë kërkuan sqarime tek PS e Athinës se përse në media ishte përmendur që “protesta” ishte bërë në bashkëpunim me strukturat e PASOK-ut. Gjatë ditës kam marrë disa telefonata nga drejtues të PS-së në qytete të ndryshme të Greqisë, ku më thoshin se distancoheshin nga këto “protesta” që nuk i shërbejnë as vendit dhe as atyre si emigrantë. Me shkrim në ambasadë u paraqit nga një grup emigrantësh, ndërmjet tyre edhe socialistë, një peticion i firmosur nga më shumë se dyfishi i atyre që ishin në atë “shfaqje”, ku i bëjnë thirrje PS-së të heqë dorë nga bojkoti i Parlamentit etj., të cilin do e dërgoj të plotë”, - thuhej më tej në këtë deklaratë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›