E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët e Bulqizës 8 ditë grevë urie, kërkesë për tubim në polici

BULQIZË- Ka hyrë në ditën e tetë greva e urisë së minatorëve, të cilet janë ngujuar që prej të hënës së shkuar në një godinë të marrë me qera pranë kompanisë ACR, ndërsa gjendja shëndetësore e tyre shkon drejt përkeqësimit. Korrespondenti Enver Doci sqaron se përkeqësimi i tyre lidhet me faktin se nuk pranojnë të mjekohen në spitalin e Bulqizës, ku edhe ndihma për ta është më e specializuar.

Të gjithë minatorët kanë marrë serume e mjekime të tjera vetëm në ambientet ku zhvillohet greva dhe shprehen të vendosur të qendrojnë aty deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Ndërkaq, pjesa tjetër e minatorëve vijojnë protestat jashtë ambienteve ku zhvillohet greva. Ata i kanë dërguar  sot një shkresë komisariatit të policisë së Bulqizës për të realizuar një tubim në Bulqizë, si edhe për të bllokuar rrugën nacionale Peshkopi-Tiranë për rreth dy orë. Grevistët e urisë kanë kërkuar gjithashtu ruajtjen e godinës nga policia.

Minatorët e Bulqizës kërkojnë kryerjen e investimeve në minierë, rritjen me 20% të pagës, largimin nga territori i ACR-së së firmave të tjera të palicencuara e që shfrytëzojnë minierën në mënyrë abuzive, si dhe shkarkimin e drejtorit të minierës së Bulqizës, Medat Zogu.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›