E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri orë peng për fërkimin e makinës

Pasagjerët bashkë me drejtuesin e një furgoni janë mbajtur peng për disa orë nën kërcënimin e armës, pasi mjeti me të cilin ata udhëtonin u fërkua me një “Benz” në superstradën Lezhë-Laç. 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Kryqëzimi i Rrilës, në afërsi të rrugës dytësore të Manatit. Pengmarrësi Ardian Prenga përfundoi pas tri orësh në pranga, ndërsa udhëtarët kanë rrëfyer tmerrin që kanë provuar.  Policia tha se rreth orës 23:30, 32-vjeçari Prenga, i cili udhëtonte me “Benz”-in, LA 8141 A, është fërkuar me një furgon me targë LE 7728 A. Furgoni drejtohej nga 42-vjeçari Ndoc Ndoi, nga fshati Ishull i Lezhës dhe kishte drejtim lëvizjeje aksin Lezhë–Manat, ndërsa Prenga lëvizte në drejtim të kundërt të tij. Drejtuesit e dy mjeteve janë konfliktuar në momentin e fërkimit të makinave të tyre, duke pretenduar se secila palë pati fajin. Por Ardian Prenga i irrituar kur ka parë gjendjen e makinës së tij pas aksidentit, ka arritur të devijojë drejtimin e furgonit nën kërcënimin e një pistolete tip TT. Sipas dëshmisë së dhënë më vonë në polici nga ana e pasagjerëve, ai i ka kërcënuar ata se do t’i mbajë aty deri kur drejtuesi i furgonit të rregullojë apo dëmshpërblejë “Benz”-in e dëmtuar. Nën kërcënimin e armës, drejtuesi i furgonit ka vijuar rrugën në drejtim të Laçit. Pasagjerët janë detyruar të qëndrojnë në vend, me gjithë lutjet që të zbrisnin. Shoferi i furgonit ka shfrytëzuar një moment, duke sinjalizuar policinë e Lezhës për atë që po ndodhte. Kjo e fundit vuri në alarm gjithë strukturat e saja dhe të Laçit, duke vënë postblloqe me forca të shumta policore. Rreth orës 02:30, policia ka parë furgonin që po i afrohej Laçit. Ata i kanë bërë thirrje të ndalonte. Pa asnjë rezistencë, furgoni është ndaluar dhe pengmarrësi u prangos. Policia shoqëroi pasagjerët dhe Ndoc Ndoin, i cili ishte në timon. Ata kanë pohuar se janë mbajtur peng dhe janë kërcënuar me një armë, pistoletë. Por policia nuk ka gjetur armë zjarri gjatë kontrollit që u bë në furgon, çka dyshohet se 32-vjeçari ta ketë hedhur atë gjatë rrugës. Ai ka deponuar në polici se gjithçka e kishte bërë nga gjaknxehtësia, por se qëllimi i tij nuk kishte qenë të dëmtonte as pasagjerët e as shoferin e furgonit. Prenga ka mohuar të ketë pasur armë me vete, duke hedhur poshtë pretendimet e katër pasagjerëve, të cilët kanë denoncuar se u kishte vënë armën tek koka. Ai akuzohet për “heqje të padrejtë të lirisë së tjetrit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›