E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët kërkojnë rritjen e pagës me 20 %

Bulqizë-Dy janë kërkesat më të fundit të minatorëve të Bulqizës, rifillimi i punës në minierë dhe rritja e pagës me 20 %, siç është premtuar nga kompania ACR në momentin që sindikalistët ndërprenë grevën e urisë dhe protestat. Presidenti i KSI-së, Taf Koleci pohoi dje se minatorët janë të vendosur të kërkojnë rihapjen e fronteve të punës, pasi gjendja e tyre social-ekonomike po rëndohet dhe miniera po degradon dita-ditës. “Ne presim një përgjigje nga RISHM-i dhe AKBN-ja për të urdhëruar rikthimin e minatorëve në punë, ndërkohë që me pagat e minatorëve është bërë një lëmsh i vërtetë. As vetë minatorët nuk e kuptojnë çfarë është bërë me pagat e tyre. Herën e fundit ata janë paguar me 50 % të pagës dhe kjo ka krijuar indinjatë te minatorët. Ne, - përfundoi Koleci, - nuk kemi planifikuar ndonjë lëvizje të re sindikaliste, por presim qetësisht zgjidhjen e kërkesave tona ekonomike”. Protestat e minatorëve për kushte më të mira pune, paga më të larta, largimin e drejtorit të ndërmarrjes etj, nisën më 3 korrik të këtij viti dhe përfunduan në 4 tetor 2011, por dy javë më pas, në nivelin e 16-të ndodhi një shpërthim i fuqishëm që shkaktoi një të vdekur, tetë të plagosur dhe ndërprerjen e punës pa afat. P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›