E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët ndërpresin grevën e urisë, të hënën nis puna

BULQIZE- Nëntë minatorët e Bulqizës, të ngujuar prej 12 ditësh në grevë urie, kanë lënë sot ambientet e grevës,ndërsa do t`i rikthehen punës ditën e hënë në orën 07:00.
  Ndërprerja e grevës së urisë, u arrit  një ditë pasi përfaqësuesit e nënkryetari i Konfederatës së Minatorëve të Shqipërisë, Tafë Koleci nënshkruan marrëveshje me përfaqësuesit e kompanisë koncencionare "ACR".

Siç ishte paralajmëruar nga Taf Koleci, sot rreth orës 9:00, nëntë minatorët ndërprenë grevën e urisë. Marrëveshja i dha fund dhe protestave maratonë si dhe grevës së urisë e cila sot hyri në ditën e 12-  të.

Sipas marrëveshjes të arritur pasditen e së enjtes, kompania ACR ka pranuar të rrisë pagat e minatorëve në masën 20%, të përmirësojë kushtet e punës, të bëjë transparencën e investimeve në minierë, të paguajë 22 ditët e grevës si dhe do t`iu paguajë edhe pagën e 13-të. Kryesindikalisti Tafë
Koleci sqaroi dje se brenda 5 ditëve paratë do të depozitohen në llogaritë e minatorëve.

Ndërkohë minatorët janë tërhequr nga kërkesa e tyre për t'u larguar drejtori i minierës, kërkesa e vetme e cila prej disa ditësh kishte penguar arritjen e marrëveshjes mes palëve.

Minatorët e Bulqizës vazhduan protestat për më shumë se 80 ditë, gjatë të cilave gjatë  muajit gusht zhvilluan dhe grevën e parë të urisë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›