E Diel, 1 Nëntor 2026

Minierat, rregulla të reja për leje

19/03/2010 Konsultat

Këshilli Konsultativ i Biznesit është mbledhur dje për të diskutuar amnistinë e pritshme fiskale dhe problemet e tjera që shqetësojnë biznesin. Nën drejtimin e ministrit të Ekonomisë, drejtuesit e shoqatave të ndryshme të biznesit janë njohur fillimisht me ndryshimet e pritshme në disa ligje, ndër të cilat edhe ndryshimet në mënyrën e dhënies dhe kontrollit të lejeve minerare. Në këtë pikë ministri Dritan Prifti tha se abuzimet e vëna re, moskorrektesa me zbatimin e kontratave si dhe kushtet e vështira të punës janë ndër shkaqet që detyrojnë riparjen e lejeve minerare. "Kemi futur disa kërkesa pak më të larta për ata që marrin leje minerare, qoftë zbulim-kërkimi, qoftë leje shfrytëzimi për të kërkuar disa garanci financiare nga ata që i marrin lejet. Pra, një depozitë e caktuar në një bankë, për të marrë garanci nga këta që marrin lejet për rehabilitimit e ambientit pas përfundimit të afatit të shfrytëzimit të kësaj leje minerare", theksoi ministri Dritan Prifti. Sipas këtij koncepti, një subjekt që kërkon të marrë një leje minerare duhet të plotësojë garancinë financiare, e cila konsiston në depozitimin në një bankë të 10 për qind të vlerës së investimit të parashikuar për lejet e shfrytëzimit, çka do sjellë dhe në eliminimin e mundësive që lejet minerare të jepen për kompani që nuk kanë mundësi t’i shfrytëzojnë ato. Në rast se subjekti minerar arrin që ta realizojë këtë plan investimi brenda vitit të parë, atëherë kjo shumë i kthehet. Në vijim mbledhja e Këshillit Konsultativ ka vijuar me dyer të mbyllura dhe diskutimet janë përqendruar në amnistinë fiskale. Një pikë e debatuar ka qenë ajo për faljen e detyrimeve të prapambetura të bizneseve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›