E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minierat, Naco: Nga viti 2000 deri më sot 61 viktima

TIRANE-Ministri i METE, Nasip Naco konfirmoi sot se nga vitit 2000 deri në ditët e sotme janë shënuar plot 61 viktima në miniera e vendit.

Këtë pohim Naco e bën publik në një dokument ku Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u është përgjigjur pyetjeve të një grupi deputetësh të Partisë Socialistë, lidhur me situatën në minierën e Bulqizës dhe atë të Elbasanit.

I pyetur sesa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 e deri më sot, Naco pohon se në aksidentet në zonat me subjekte të lincensuara janë shënuar 41 viktima, kurse në zonat e palicensuara , 20 viktima.

Lidhur me Minierën e Bulqizës, rreth pyetjes se cila është pozita ligjore e kompanisë ACR në lidhje me shtetin shqiptar, ministri Naco shprehet se ‘shoqëria “Albania Chrome” shpk është shoqëria koncesionare”.

Partia Socialiste interesohet rreth investimeve në minierat e Bulqizës e Elbasanit bazuar në marrëveshjen koncesionare të miratuar në parlament dhjetë vite më parë, ku METE shprehet se

“Për Marrëveshjen e Koncesionit të Bulqizës detyrimi i investimit është 22,917,954 USD dhe janë realizuar 11,000,654 USD

Për Marrëveshjen e Koncesionit të Elbasanit detyrimi i investimit është 19.972.048 USD dhe janë realizuar 31.359.173 USD

Për të dy Marrëveshjet detyrimi i investimit është 42.890.002 USD dhe janë realizuar 42.359.827 USD ose rreth 30 milionë euro”, citon njoftimi publik nga METE duke shtuar se “Për investimet e parealizuara nga METE janë vendosur penalitete në masën 1.639.163 euro dhe 56000 USD”.

METE pohon në përgjigjen ndaj pyetjes “Cilat janë kushtet e punës së minatorëve?”, se këto të fundit janë përmirësuar dukshëm nisur nga viti 2006.
“Nga viti 2006 e në vazhdim janë bërë përmirësime të dukshme për sa i përket plotësimit të kushteve të punës së minatorëve siç janë ndërtimi i kompleksit higjeno - sanitar (dush, garderoba) dhe shërbimi mjekësor, pajisja me mjete mbrojtëse individuale të certifikuara, aplikimi i shpimit të lagur për eleminimin e pluhurave në frontet e punës në nëntokë, përdorimi i armatimeve në të gjitha punimet minerare që po hapen, heqja e shpërthimit të minave me flakë të hapur dhe zëvendësimi nga plasjet me fitila me plasje elektrike e cila rrit sigurinë dhe plotëson kërkesat e sigurisë në punë.”

Ministri Naco thekson se “në subjektet e tjera të licensuara është punuar dhe po punohet për përmirësimin e kushteve të punës së punëtorëve si në drejtim të transportit, trajtimit të tyre dhe rritjen e kushteve të sigurisë në punë. Ngelet akoma për të punuar në këtë drejtim, por ne jemi duke bashkëpunuar edhe me sindikatat për këtë qëllim”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›