E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e BE, lobing për shqiptarët: T’u hiqen vizat

BRUKSEL-Dy ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, ai italian Franco Frattini dhe ai slloven, Samuel Zbogar kanë ndërmarrë një fushatë të vërtetë lobimi për liberalizimin e vizave për Shqipërinë.
Në një letër dërguar ministrit të Jashtëm spanjoll, Angel Miguel Moratinos, vendi i të cilit mban dhe Presidencën e Bashkimit Evropian, Frattini e Zbogar kërkojnë marrjen e vendimit për heqjen e vizave në qershor të këtij viti për Shqipërinë dhe për Bosnjën.

Letra e Frattinit dhe Zbogarit i është dërguar dhe autoriteteve më të larta të Bashkimit Evropian, përfaqësues së lartë për Politikën e Jashtme në BE, Catherine Ashton, komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule dhe komisioneres për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom.

Por, më e rëndësishme, në nismën e marrë nga ministri italian dhe ai slloven për heqjen e vizave, është dhe mbështetja që kanë gjetur te homologët e tyre të vendeve të Bashkimit Evropian.

Letra është firmosur nga 10 ministra të tjerë të jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian, duke shënuar në këtë mënyrë dhe një rritje të mbështetjes se vendeve të BE-së për procesin e heqjes së vizave.

Letra e dërguar për Presidencën spanjolle është firmosur veç Frattinit dhe Zbogar edhe nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Balazs, ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikoaly Mladanov, ministri i Jashtëm i Estonisë, Urnas Pate, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Maltës, Tonio Borg, ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosalv Sikoriki, ministri i Jashtëm Rumanisë, Teodor Baconschi, ministri Plotësues i Jashtëm i Greqisë, Dimistris Droutsas, ministri i Jashtëm i Lituanisë, Andornuis Azubalis, ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, dhe ministri i Qipros, Mausios Kyprianou.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›