Ministrat në bazë, qeveria mbledhje me zv/ministra
Berisha deklaroi se mbledhjet e qeverisë do të vazhdojnë deri javën e tretë të muajit qershor.
TIRANË- Edhe pse nuk ka filluar zyrtarisht, fushata për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ka bërë që ministrat të jenë në bazë, ndërsa mbledhjet e qeverisë, nga dje në mbrëmje, të zhvillohen me praninë e zv/ministrave.
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, në karrigen e Ministrit të Kulturës, ministrit të Bujqësisë, të Punës dhe Çështjeve Sociale, atij të Jashtëm, ministrit të Integrimit dhe të Drejtësisë janë ulur zv/ministrat, disa prej të cilëve merrnin pjesë për herë të parë. Gjatë mbledhjes së djeshme
ra në sy edhe prania e zv/ministres së Jashtme, Edit Harxhi, e cila prej muajsh nuk asistonte në mbledhjet e qeverisë.
Në një mungesë të theksuar të ministrave, shefi i qeverisë, Berisha, paralajmëroi se për shkak të fushatës, mbledhjet e ardhshme të qeverisë do të zhvillohen në orët e vona të darkës.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se qeveria do të vazhdojë punën deri javën e tretë të muajit qershor. Anëtarët e qeverisë dhe përfaqësuesit e mazhorancës janë shpërndarë në 12 qarqet sipas ndarjes së re dhe po zhvillojnë takime elektorale në çdo fshat dhe qytet të Shqipërisë, ku prioritet janë inaugurimet e lëna pikërisht në prag fushate.
Mbledhja
Ndërkohë, gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri Berisha ka folur për disa çështje, duke filluar nga një iniciativë e ministrisë së Drejtësisë, për t'u siguruar mbrojtje të plotë gjykatësve dhe prokurorëve. Berisha iu referua projektvendimit të qeverisë "Për mbrojtjen e veçantë personale të familjes dhe të pronës së gjyqtarëve dhe për sigurimin e jetës dhe të pronës së tyre".
Kryeministri vlerësoi edhe nismën më të fundit për krijimin e task-forcave në luftën kundër krimit në 6 rrethe të tjera të vendit.
Kreu i ekzekutivit ka folur dje edhe për projektin e ullinjve, ku, sipas tij, vetëm gjatë këtij viti janë mbjellë plot 2 milionë rrënjë.
"Kam shumës kënaqësi të informoj sot se të dhënat e fundit tregojnë se këtë vit janë mbjellë 2 milionë rrënjë ullinj. Kjo përbën një lajm jashtëzakonisht inkurajues",- tha ai. Berisha foli edhe për 5 hidrocentrale të rinj, për të cilët, sipas tij, janë bërë të gjitha aplikimet dhe tashmë miratohet autoriteti kontraktues për të dalë në treg.