E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksi: Jo koalicion me të majtën

Poli i Lirisë firmos marrëveshje me dy parti të tjera

TIRANË- Koalicioni Poli i Lirisë zgjerohet edhe me dy parti të tjera. Kryetari i koalicionit Poli i Lirisë, Aleksandër Meksi, firmosi dje marrëveshjen me dy parti të reja, Partia Konservatore dhe Partia e Reformave Demokratike, si dhe disa shoqatave: e Mjekësisë Popullore, e Emigrantëve Shqiptarë dhe ajo e Qendrës për Bashkimin e Vlerave Intelektuale.


Ndërsa në një intervistë për VOA-n, Meksi ka deklaruar se Poli i Lirisë synon t'u japë zgjidhje pikërisht problemeve më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare.


"Në programin tonë ofrojmë zgjidhjen e çështjes së pronave. Kjo çështje ka penguar zhvillimin e vendit dhe investimet e huaja për shkak të problemeve.


Zgjidhja e këtij problemi është në dobi të shqiptarëve dhe pronarëve", - tha Meksi. Ashtu si edhe dy ditë më parë, ish-Kryeministri i Shqipërisë ka premtuar zhvillim të ekonomisë, si dhe përforcimin e shtetit ligjor.


Një tjetër synim, sipas tij, është edhe reformimi i partisë LZHK, ku zgjedhjet do të bëhen me parimin "një anëtar një votë", ndryshe nga PD-ja, ku, sipas tij, janë bërë emërime të katapultuara dhe askush nuk është zgjedhur.


Meksi ka sqaruar, gjithashtu, se koalicioni Poli i Lirisë nuk synon të formojë koalicion me partitë e majta.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›