E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat nën akuzat e socialistëve

06/03/2009  PS-ja për vendimet e Këshillit të Ministrave

Shkaku - veprimet në Policinë e Shtetit dhe pronat e patundshme

Partia Socialiste vijoi kundërvënien ndaj qeverisë “Berisha”. Në dy deklarata të ndryshme përfaqësuesit socialistë kanë denoncuar disa nga ministrat e kësaj qeverie. Konkretisht, nënsekretari për programin në PS Ilir Beqja denoncoi ministrat Bode dhe Alibeaj për udhëzime antikushtetuese në përcaktimin e çmimeve për të blerë pronat e patundshme, duke i bërë thirrje Kryeministrit të mos vendosë sipërmarrjen para faktit të kryer. “Sipas një udhëzimi të fundit, dy ministrat në mënyrë antikushtetuese përcaktojnë çmimet me të cilat shqiptarët duhet të shesin e të blejnë patundshmëritë. Kushtetuta përcakton se Shqipëria është vend me ekonomi të tregut të lirë. Antikushtetuese është edhe përcaktimi i masës së taksës me udhëzim ministrash, kur Kushtetuta përcakton se taksat caktohen me ligj”, - vuri në dukje Beqja gjatë një konference për shtyp. Sipas tij, qeveria nuk ka zbatuar një ndër parimet themelore të administrimit fiskal: atë që ka të bëjë me parashikueshmërinë. Për këtë arsye nënsekretari socialist bëri thirrje që “Kryeministri Berisha të mos e vendosë sipërmarrjen para faktit të kryer, duke shkelur Kushtetutën dhe duke miratuar udhëzime që hyjnë në fuqi brenda ditës së publikimit”. Nga ana e ti, deputeti socialist Piro Lutaj iu referuar vendimeve të Ministrisë së Brendshme, e cila sipas tij vijon rekrutime politike dhe pa arsimin përkatës në Policinë e Shtetit. “PS-ja denoncon drejtuesit e Ministrisë së Brendshme për zbatimin e ligjit nga ana e strukturave që ata kanë në varësi, duke i bërë përgjegjës me fakte konkrete se nën ndikimin e tyre Policia e Shtetit ka rekrutuar dhe vendosur në poste kyçe punonjës policie jashtë kritereve ligjore dhe militantë politikë”, - u shpreh Lutaj. Sipas tij, vënia në poste drejtuese e delikate të Policisë së Shtetit të militantëve apo personave pa kualifikimin e nevojshëm për përmbushjen e detyrave funksionale me synimin e përdorimit të tyre gjatë fushatës elektorale apo si amortizator partiakë jo vetëm që prish imazhin e Policisë së Shtetit dhe rrezikon integritetin e zgjedhjeve të ardhshme, por dhe reflekton në mënyrë të dëmshme në mungesën e rezultateve të pritshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›