E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turku anëtari i ri i kabinetit qeveritar

06/03/2009  Topi dekreton shkarkimin e Pangos si ministër i Turizmit

Berisha propozon ish-kryebashkiakun e Elbasanit

Presidenti Bamir Topi dekretoi dje shkarkimin e Ylli Pangos nga posti i ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Menjëherë sapo në zyrën e kreut të shtetit ka mbërritur propozimi i Kryeministrit, Topi, në mbështetje të neneve 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës, ka nxjerrë dekretimin për shkarkimin e Pangos nga posti ministror. Ndërkohë gjatë paradites së djeshme Kryeministri Berisha pas konsultimeve ka vendosur t’i propozojë Presidentit të Republikës të dekretojë Ardian Turkun si ministër të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Turku aktualisht është kryetar i Qarkut të Elbasanit dhe në periudhën 2003–2007 ka qenë kryetar i Bashkisë së Elbasanit. Gjithashtu Turku ka mbajtur postin e zëvendës rektorit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Këto ditë Turku është duke marrë pjesë si përfaqësues i qarqeve të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës. Në lidhje me dekretimin e ministrit të ri Presidenti Topi, në bazë të Kushtetutës, ka një javë kohë për t’u shprehur, ndërsa Kuvendi duhet të votojë dekretin e emërimit brenda 10 ditësh. Ndryshimi më i fundit në qeveri u ndërmor nga Kryeministri Berisha pas publikimit në emisionin televiziv “Fiks fare” të një vidioje skandal të ish-ministrit Pango. Emisioni “Fiks fare” shfaqi bisedat mes ish-ministrit dhe dy vajzave, njërën në telefon dhe takimin e vajzës tjetër në banesën private të tij. Pikërisht këtu ish-ministri tentoi ta joshë vajzën me premtimin se do t’i siguronte një vend pune të kënaqshëm, duke tentuar ta zhvishte atë. Pas publikimit të këtij skandali, ka qenë i menjëhershëm reagimi i Kryeministrit Berisha, i cili brenda 4 minutave ka shkarkuar përmes një bisede telefonike Ylli Pangon nga posti ministror. Në bisedë me Pangon, Berisha i komunikoi atij se episodi i paraqitur në medie është i papranueshëm në moralin dhe standardet e qeverisë që ai drejton. Ish-ministri Pango lidhur me këtë çështje i tha Kryeministrit Berisha se kemi të bëjmë me një montaturë të mirëfilltë të medies. Por Kryeministri Berisha i tha Pangos se ky pozicion nuk mund të sqarohet dhe saktësohet duke mbajtur postin e ministrit. Ndërkohë lajmi i shfaqur në këtë emision televiziv ka zënë vend në të gjitha mediet botërore prestigjioze, i përkthyer në disa gjuhë.

Skandali seksual i ish-ministrit të Turizmit, reagime të ashpra në Kuvend. Flasin deputetët

Pango të heqë dorë nga mandati

Topalli: Tradhtoi moralin e PD-së

Leskaj: Parlamenti të largojë deputetin e turpit

Përfaqësues të partive politike i kanë bërë thirrje dje Ylli Pangos të dorëzojë mandatin e deputetit. Një ditë pas shfaqjes së sekuencave filmike dhe shkarkimit nga posti ministror, ashtu sikundër pritej, deputetët e pozitës dhe opozitës janë përfshirë në debate në lidhje me skandalin e ish-ministrit Pango. Por e përbashkëta e drejtuesve kryesorë të partive parlamentare ka qenë ftesa drejtuar Pangos për të hequr dorë nga mandati i deputetit. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kreu i LSI-së Ilir Meta, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj dhe deputetë të tjerë nuk kanë vënë në dyshim heqjen e imunitetit për deputetin Pango, nëse kjo do të kërkohej nga Prokuroria e Përgjithshme, madje kanë shkuar edhe më tej, duke kërkuar heqjen e mandatit të deputetit. Dhe kjo përbën rastin e parë kur për një deputet të Parlamentit shqiptar shtrohet për diskutim heqja dorë nga mandati.

Qëndrimi

E ashpër në qëndrimin e saj, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e ka cilësuar shumë të turpshëm, shumë të papranueshëm dhe shumë poshtërues skandalin e ish-ministrit të Turizmit Ylli Pango. “Zotëria në fjalë ka tradhtuar moralin e Partisë Demokratike. Si Kryetare e Parlamentit, nuk po kërkoj heqjen e imunitetit të tij, por i kërkoj të lëshojë mandatin, sepse mandati i tij nuk përfaqëson asnjë qytetar shqiptar që e ka votuar”, - tha Topalli. Ajo ka vlerësuar reagimin e menjëhershëm të Kryeministrit Sali Berisha për shkarkimin e Pangos nga posti ministror, ndërsa ka theksuar se shkarkimi nga posti qeveritar ndodhi brenda 4 minutash. “Jam e tmerruar edhe nga burrat që dalin lakuriq, por të paktën Kryeministri Berisha e shkarkoi brenda 4 minutash Ylli Pangon. Pyeteni pak veten tuaj”, - iu drejtua Topalli deputetëve. Duke u shprehur se është ndier e tmerruar nga ajo që ka ndodhur me një ministër, Topalli e konsideroi Pangon tradhtar të atyre qytetarëve shqiptarë që e kanë votuar. "Ne vendosëm një standard. Kryeministri Berisha e shkarkoi ministrin pak minuta pasi u shfaq skandali", - u shpreh Topalli. Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj u bëri thirrje deputetëve që të largojnë deputetin e turpit. “Nëse mbrëmë kjo çështje ishte e një ministri, sot kjo është çështje e Parlamentit, i cili duhet të mbajë një qëndrim për një deputet që ka kryer veprën e turpit”, - tha Leskaj. Ajo theksoi se Pango nuk mund të ketë më imunitet dhe nuk mund të mbrohet me imunitet deputeti, ndërkohë që duhet të përgjigjet në bazë të Kodit Penal për veprën e kryer. Një qëndrim të njëjtë për ish-ministrin Pango ka mbajtur edhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, i cili ka ftuar kolegun që të heqë dorë nga mandati i deputeti. “Do të ftoja kolegun Pango që të heqë dorë nga mandati i deputetit, në mënyrë që Parlamenti të mbrojë integritetin e vet”, - tha Meta. Ndërsa deputeti socialdemokrat Engjëll Bejtaj i ka propozuar Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit Pango, sikundër ka kërkuar ndjekjen penale për të. Reagimet e ashpra në Kuvend të deputetëve erdhën vetëm një ditë pasi në emisionin televiziv “Fiks fare” u shfaqen sekuenca filmike të skandalit seksual të ish-ministrit Ylli Pango. Ky i fundit, sipas emisionit, tentoi të joshë vajza duke u premtuar gjetjen e vendeve të punës

ÇIP: Pango konsumoi vepra penale

Qendra për Çështjet e Informimit Publik përmes një deklarate për mediet u shpreh dje se ish-ministri i Kulturës Ylli Pango ka konsumuar elemente të veprës penale të tentativës për përdhunim dhe të shpërdorimit të detyrës. Duke përgëzuar Kryeministrin Berisha për reagimin e menjëhershëm në vendimin për shkarkimin e Pangos nga posti ministror, ÇIP thekson se ky zyrtar përfaqëson degjenerimin më të thellë moral të funksionarëve të lartë shtetërorë në këta 20 vjetët e fundit. Por nga ana tjetër, ÇIP dënon hezitimin Kuvendit për të reaguar me të njëjtën shpejtësi për heqjen e imunitetit të Pangos pas bërjes publike të skandalit.

“Duke mos vepruar energjikisht në këtë drejtim, Kuvendi rrezikon të kthehet në protektor të Ylli Pangos, i cili duhet të ndiqet penalisht nga organi qendror i akuzës”, - thuhet në deklaratë. Sipas saj, Prokuroria e Përgjithshme duhet të veprojë energjikisht për të proceduar penalisht Ylli Pangon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›