E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pozitë-opozitë akuza për imoralitet

06/03/2009  Kuvendi përfshihet në debate të ashpra për skandalet një ditë pas publikimit të rastit “Pango”

Mazhoranca: Qeveria ka vendosur standarde. PS: Jeni qeveri e skandaleve

Skandali me protagonist Ministrin e Turizmit Ylli Pangon ka shkaktuar debate të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, lidhur me standardet që ka përdorur njëra apo tjetra qeverisje përkundrejt atyre që abuzojnë me detyrën. Deputetët e mazhorancës renditën rastet që kanë vendosur standardet e qeverisë së tyre për shqiptarët, Ndërsa të opozitës e kanë cilësuar Qeverinë “Berisha”, qeveria e skandaleve.

Mazhoranca

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi e cilësoi rastin “Pango” një aksident personal, rrjedhimisht ai e quajti edhe përgjegjësinë individuale. “Një maxhorancë, parti politike, qeveri, apo një kryeministër, nuk mund të gjykohet dhe vlerësohet kurrsesi në raport me atë që dikush prej nesh, secili prej nesh, apo disa prej nesh mund të bëjnë. Është një aksident personal dhe përgjegjësia është individuale”, -theksoi Patozi. Ai bëri krahasime me qeverisjen socialiste duke u kujtuar kundërshtarëve politikë, se skandalet më të mëdha kanë ndodhur gjatë qeverisjes socialiste. “Ka pasur disa skandale më të rënda, skandale që ju i dini dhe unë nuk kam nevojë të përmend emra. Ka pasur raste të ngjashme që kanë përfunduar dhe më keq, me shpulla. Ju keni pasur KPD-të tuaja si qendrat e skandaleve”, - vijoi Patozi. Edhe zv/kryeministri Genc Pollo deklaroi dje në Kuvend se shkarkimi i menjëhershëm i ministrit të turizmit nga detyra, është dëshmia se kjo maxhorancë nuk toleron abuzivizmin. Ai përmendi rastin e dorëheqjen së ish-ministrit Fatmir Mediu dhe heqjen e imunitetit të Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha. Ai përmendi akuzat e ish-kryeministri Fatos Nano për 12 zyrtarë, ndaj të cilëve nuk u mor asnjë masë “ndëshkuese”. Pikërisht mes këtyre dy standardeve, sipas Pollos, votuesit shqiptarë do të zgjedhin në 28 qershor.

Opozita

Të turpshme e ka cilësuar opozita rastin në fjalë, por kaq të turpshme edhe fshehjen e këtij skandali. Sipas deputetit të Partisë Socialiste Musa Ulqini, si kryeministri Berisha ashtu edhe drejtuesit e lartë të PD-së, kanë qenë në dijeni të kësaj ngjarjeje. “Një skandal po kaq i turpshëm është edhe mënyra sesi keni vepruar ju zonja kryetare dhe kupola e PD-së për ta mbyllur këtë turp, për të cilin Berisha dhe ju kishit dijeni prej disa ditësh. Po kaq e turpshme është edhe mënyra sesi me këtë turp bëhet politikë në këtë sallë, duke sulmuar opozitën”, - tha Ulqini. Deputeti socialist ka renditur rastet, sipas tij skandale të Kryeministrit Berisha dhe të qeverisë së tij për mënyrën më të cilën ka drejtuar vendin këto katër vjet, raportet me institucionet e pavarura, rastin “Mediu”, “Basha” dhe “Fazlliç”.

Ilir Meta

“Distancohuni nga lakuriqësia e majtë apo e djathtë”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, u bëri dje thirrje të gjithë politikanëve të distancohen nga çdo lloj lakuriqësie të majtë apo të djathtë. Ai u kërkoi atyre të vendosin një standard të ri të shtetit, të parlamentit dhe të politikës shqiptare. “Në Shqipëri ndodhin edhe çudira të tilla, ku vendet e punës kërkohen në mënyrë krejtësisht perverse. Pra, e kam fjalën të vendosim një standard të ri të shtetit, parlamentit, politikës, larg perversitetit dhe lakuriqësisë, sido që të shfaqet ajo, me ngjyra të majta, apo me ngjyra të djathta. U bëj thirrje të gjithë politikanëve të distancohen nga çdo lloj lakuriqësie të majtë apo të djathtë, sepse ne jemi shqiptarë, sepse ne kemi tradita kombëtare. Çdo njeri është i lirë të bëjë ç’të dojë me jetën e vet, por jo në politikë dhe në jetën publike”, - tha ai.

Ëngjëll Bejtaj

Deputeti i Partisë Socialdemokrate Ëngjëll Bejtaj gjatë fjalës që mbajti në Kuvend gjatë seancës së djeshme parlamentare, ka ngritur shqetësimin lidhur me qëndrimin e Qeverisë “Berisha” për rastin në fjalë, para se ky skandal të publikohej në media. “Pse e kandiduat Pangon kur e dinit se cili ishte ai? Mbi të gjitha, pse e zgjodhët edhe ministër, anëtar të kabinetit qeveritar kur ishit në dijeni për të? Kryeministri Berisha dhe të gjithë ju e dinit më përpara për një shfaqje të tillë. Ju vepruat duke kërkuar dorëheqjen e tij, dhe e dënoni tani, pasi dështuat në përpjekjet tuaja për të mos e transmetuar shfaqjen”, - tha Bejtaj. Fillimisht ai përgëzoi qëndrimin që mbajti kreu i ekzekutivit shqiptar Sali Berisha kundrejt rastit në fjalë. Shefi i Qeverise disa minuta pas shfaqjes së videos i komunikoi Ministrit të Turizmit Ylli Pango shkarkimin nga detyra.

Astrit Patozi

Ju keni kryetarin tuaj që të paktën prej 3-4 vjetësh qarkullon i zhveshur lakuriq përpara shqiptarëve dhe ju e keni atë kryetar dhe askush prej jush nuk ka guxuar të thotë një fjalë për atë. Të gjithë ju të gjithë dini është histori të tjera të rënda pervesiteti të kryetarit tuaj në vilën e Pezës apo jashtë vilës së Pezës, por ju heshtni si peshku sepse ju jeni mësuar të bashkëudhëtoni me skandalin sepse ju jeni vetë skandali.

Edi Paloka

Një zyrtare e cila ishte e afërt e një zyrtari tjetër që bëri karrierë në partinë tuja duke çuar motrën e tij atje. Me paturpësinë më të madhe, në faqen e internetit bënte programin dhe në këtë program, shkruante oraret e mbërritjes në aeroport, të takimit për të ngrenë drekën apo dhe për të bërë të tjera gjëra. Është në një faqe interneti dhe në këtë faqe interneti, kjo këshilltarja kishte pozuar nudo. Janë skandale që ju i dini, ju nuk keni reaguar. Madje ata njerëz kanë bërë karrierë

Frrok Gjini

I kërkoj Kryeministrit të pastrojë PD-në nga komunistët. Në mars të ’97-ës ky njëri ka drejtuar armën ndaj PD-së. Pse po ju vjen zor zonjë?

Meta-Braçe

Ti rri urtë se të kam bërë me grua.

Bujar Leskaj

Mund të jenë 28 dhe janë të zgjuar, por mund të jenë edhe 58 dhe janë budallenj, janë pervers.

Ëngjëll Bejtaj

Ka qenë tek PSD-ja, por ka respektuar standardet e PSD-së për sa kohë që ka qenë aty.

Genc Pollo

Dua të përmend ish-kryetarin e PS-së, i cili në periudhën e katarsisit përmendi 12 raste konkrete të shoqëruara me emra konkretë të abuzimeve në detyrë për favore të tilla, jo të mbetura në tentativë, por të kryera. Edhe pse prisnim që ata të dorëhiqeshin apo të shkarkoheshin, për fat të keq kjo gjë nuk ndodhi.

Ilir Meta

Duhet të kuptojmë se nuk mund t’i rrisim fëmijët në këtë vend me lakuriqësi politikanësh, me këtë shëmti të madhe, e cila neverit shqiptarët dhe i bën ata që të ndihen vërtet të pashpresë në këtë vend. Çdo njeri është i lirë të bëjë ç’të dojë me jetën e vet, por jo në politikë dhe në jetën publike. Po na shisni perversitetet si modernitete në këtë vend. Po na bëni t’i mbajmë fëmijët larg televizioneve, larg gazetave. Një turp i madh.

Valentina Leskaj

Kush është ajo e re që do marrë kurajën të shkojë në dyert e ministrive, kush është ai prind që do jetë i qetë për vajzën që kërkon një vend pune?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›