Ministri Basha takon Ministrin e Emirateve të Bashkuara Arabe Al Nahyan
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha ka pritur sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Të dy ministrat kanë diskutuar mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, shkëmbimin e vizitave në nivele të larta, ngritjen e komisioneve të përbashkëta të bashkëpunimit si dhe për forcimin e dimensionit ekonomik në të gjitha fushat. Gjithashtu, dy homologët u angazhuan për nënshkrimin e disa marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve si dhe për të krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme për rritjen e kontakteve të ndërsjella dhe praninë e theksuar të investitorëve emiratas në Shqipëri. Një vend të veçantë në diskutimin mes dy ministrave zuri ndërtimi i rrugës së shkurtër Tiranë-Elbasan. Ministri Basha e informoi homologun e tij mbi këtë prioritet madhor për qeverinë shqiptare dhe duke nënvizuar përkushtimin e qeverisë shqiptare për të nisur këtë investim sa më parë, kërkoi mbështetjen financiare të Emirateve të Bashkuara për këtë projekt. Ministri i jashtëm emiratas shprehu mbështetjen e tij të plotë për të financuar rrugën Tiranë-Elbasan nëpërmjet një kredie të butë nga pala emiratase. "Realizimi i këtij projekti ka domethënie të madhe. Sapo të marrim vlerësimin teknik të saj, procedurat përkatëse do të kalojnë në instancat e duhura shumë shpejt dhe besoj që deri në takimin e Komisionit të Përbashkët në Shtator do të marrim një vendim lidhur me financimin e saj. Këtë e them me bindje edhe si anëtar i bordit të Bankës Abu Dabi për Zhvillim", tha ministri Al Nahyan. Ndërtimi i kësaj rrugë është i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Emiratet e Bashkuara, u shpreh me tej ai, duke ju referuar lehtësive që realizimi i këtij projekti do të krijojë për të nxitur investimet e Emirateve të Bashkuara, në veçanti ato të lidhura me Zonën Ekonomike të Elbasanit. Në këtë kuadër, ministri Basha, i dorëzoi homologut të tij edhe dosjen që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka përgatitur për Zonën Ekonomike të Elbasanit, ish Metalurgjiku. Homologu emiratas u shpreh se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë interes të veçantë edhe për fushat energjetike, bujqësore, portuale, turizmit, petrokimike etj.