E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Beja viziton në spital akademikun Shaban Demiraj

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, i shoqëruar edhe nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, vizitoi dje akademikun, prof. Shaban Demiraj, i cili prej disa ditësh gjendet i shtuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për shkak të një frakture në njërën këmbë. Zyra e shtypit e Ministrisë së Arsimit bëri të ditur se ministri Beja i uroi shërim të shpejtë akademikut të mirënjohur dhe ofroi ndihmën e shtetit, nëse do të ishte nevoja për një trajtim më të specializuar. Me gjithë moshën e thyer të akademikut Shaban Demiraj, mjekët janë shprehur se fraktura nuk është e rëndë dhe do të bëhen të gjitha përpjekjet për shërimin e shpejtë të tij. Profesor Shaban Demiraj këtë vit festoi ditëlindjen e tij të 90-të. Akademia e Shkencave pret të publikojë së shpejti studimin më të fundit të profesorit të shquar.

Letërnjoftimet

Pajisen me kuponë të gjithë studentët e UT-së

Universiteti i Tiranës ka pajisur tashmë me kuponë të gjithë studentët që nuk disponojnë një pasaportë, me synim pajisjen e tyre me kartat e identitetit. Kancelari i UT-së, Robert Skënderi, konfirmoi se “ka përfunduar edhe procesi i shpërndarjes së rreth 4600 kuponëve për studentët pa pasaportë dhe pritet që në një kohë shumë të shkurtër ata të pajisen me këtë dokument". Studentët pa pasaportë, sipas vendimit të qeverisë, do të paguajnë vetëm 200 lekë pranë universitetit nga 1200 lekë që është kostoja reale e kartës. Politika të tilla lehtësuese nuk janë ndërmarrë vetëm për studentët. Qeveria ka vendosur ulje çmimi për letërnjoftimet elektronike për të gjithë pensionistët me pension minimal në qytet dhe për të gjithë pensionistët e fshatit që do të aplikojnë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Në politikat lehtësuese të qeverisë përfshihen dhe qytetarët që përfitojnë ndihmën ekonomike, apo ata që deri më 28 qershor 2009 mbushin moshën 18 vjeç.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›