Skandali te ministria e Ekonomisë, Naço mjaftohet me një reagim të vakët
Një ditë pasi Kontrolli i Larte i Shtetit publikoi fakte skandaloze të abuzimeve në fushën e koncesioneve, me një dëm prej 1.8 miliard lekë, Ministria e Ekonomisë e ka kaluar me një reagim te vaket përgjegjësinë e institucionit për këtë situate. Në një njoftim për shtyp, Ministria sqaroi dje se ka nisur procedurat për shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, Shkëlqim Kerluku.
Reagimi
Sipas Ministrisë, ai mban përgjegjësi për mos arkëtimin e tarifave ndaj koncesioneve. Por i kontaktuar nga Vizion Plus, Shkëlqim Kerluku thotë se ende nuk është njoftuar zyrtarisht për këtë procedurë, pasi ndodhet jashtë Shqipërisë. Ndërkaq, mësohet se tre janë drejtorët kryesorë që KLSH i ka dërguar për ndjekje penale dhe të tre ata rezultojnë aktiviste të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Lëvizjet
Por paralelisht me këtë situatë, në Ministrinë e Ekonomisë prej disa javësh ka nisur një valë lëvizjesh, kryesisht në nivel drejtoresh. Bëhet fjale për 7 vende te mbetura vakant, për te cilët departamenti i administratës publike ka nisur procedurat për zëvendësimin e tyre. Mes këtyre emrave ka edhe anëtare te Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nuk dihet ende nëse kontrolli i KLSH, i nisur dhe i përfunduar në harkun kohor të dy javëve, si dhe ndryshimet në disa poste drejtuese të Ministrisë së Ekonomisë, janë pjesë e luftës kundër korrupsionit apo kanë sfond politik duke gjykuar situatën e re brenda koalicionit qeverisës, koalicion i vënë ditët e fundit në pikëpyetje me afrimin e garës presidenciale dhe më tej të zgjedhjeve të 2013-ës. (V+)