Reforma zgjedhore dështoi, PD-PS nisin lojën e fjalëve
Ndryshe sa pritej ka dështuar në mënyrë spektakolare përfudnimin i reformës zgjedhore mes forcave politike. Palët u dorëzuan në mbrëmje dhe thanë që tashmë arritja e konsensusit është në dorën e filtrave parlamentare deri në 24 maj, afat ky i vendosur nga BE për përmbylljen e reformës. Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi deklaruan për gazetarët se ndahen për një sërë çështjesh, si ajo e ankimimit, administratës zgjedhore, etj.
Justifikimi i palëve
Puna e Komisionit përfundoi në mesnatën e pardjeshme dhe siç deklaruan Gjiknuri e Bylykbashi nuk do të ketë një mandat të ri për të. Nuk është vetëm numërimi elektronik, sot u diskutua numërimi elektronik, identifikimi elektronik. Duhet të them që për numërimin elektronik nuk ka një opinion me shkrim nga ODIHR-i. Për identifikimin ne kishim reflektuar disa nga vërejtjet, në atë opinion nuk kemi rënë dakord për administratën zgjedhore dhe formulën e KQZ-së, që është një rekomandim kyç për reformën zgjedhore. Nuk kemi gjetur edhe konsensus lidhur me disa nene të caktuara në procesin ankimor. Këto janë kapituj shumë të rëndësishëm, pasi kanë qenë edhe palca e reformës zgjedhore, tha deputeti socialist dhe bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri.
Qëndrimi i demokratëve
Palët ndahen nëse duhet të zbatohen pikë për pikë këto rekomandime të ODIHR apo nëse duhet një zbatim i pjesshëm. Propozimet tona i reflektojnë në çdo detaj këto rekomandime. Gjithashtu nuk arritëm të gjejmë një marrëveshje në lidhje me çështjet e tjera, me administratën dhe ankimimin, por mbeten hapësira që nëpërmjet filtrave parlamentarë ne të vazhdojmë të gjejmë konsensusin më tej për të implementuar konsensusin politik pastaj në draftet teknike për miratimin e tyre, tha eksperti demokrat i komisionit për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi. Nganjëherë zgjidhjet jepen edhe në momentin e fundit unë them se politika shqiptare duhet të kuptojë se cfarë prioriteti ka. Mazhoranca i ka të gjitha mundësitë të reflektojë karshi një reforme shumë të rëndësishme aq më tepër që lidhet me fatet e të ardhmes së vendit në BE. Ne, të them të drejtën, kemi lëshuar pe në pjesën më të madhe të tekstit. Jo se nuk ka vend për të diskutuar, madje i thamë edhe PD-së që të japë edhe ajo propozimin e saj për një formulë në lidhje me kompozimin e KQZ dhe fatkeqësisht nuk kemi dëgjuar asnjë propozim real. Madje refuzojnë të japin një propozim. Megjithatë unë shpresoj, nuk dua të bëj akuza para kohe, megjithëse koha është kritike dhe vullneti mund të ishte formësuar, prapë mendoj që karshi një thirrje të konsoliduar ndërkombëtare për gjetjen e një kompromisi unë them se PD e ka mundësinë që të vijë në tavolinë dhe të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, theksoi Gjiknuri.
Afati i ndërkombëtarëve
Vetëm dy ditë më parë Bashkimi Europian kërkoi që të mbyllet reforma zgjedhore brenda datës 24 maj. Eurokomisioneri për zgjerimin Stefan Fule shprehu shqetësim për vonesat në përmbylljen e reformës zgjedhore, por theksoi besimin se palët do të bien dakord, pavarësisht se mund tu duhet më tepër kohë. “Është e një rëndësie kritike që marrëveshja e nëntorit, përfshirë reformën zgjedhore, të përmbyllet para nisjes së procesit për zgjedhjen e Presidentit. Është e një rëndësie kritike kjo të arrihet përpara 24 Majit, sepse është e vetmja mënyrë, që paketa e nëntorit dhe finalizimi i saj të jetë pjesë e zgjidhjes, sepse në të kundërt, kam frikë se paketa e nëntorit mund të bëhet pjesë e problemeve”, tha komisioneri Europian për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle.
Detaje
Oerd Bylykbashi
Ne deri në këtë pikë kemi bërë një punë e cila reflekton në një mënyrë maksimale rekomandimet e ODIHR-it. Shumica e tyre janë reflektuar, por janë disa elementë të rëndësishëm të cilët kërkojnë një konsensus politik. Nuk mund të vihet në diskutim arritja e konsensusit nëpërmjet vendosjes së kushteve e gjitha duhet të bazohet në konsensus të mirëfilltë i cili garanton gjithashtu një zbatim të kodit me vullnet të mirë politik në zgjedhjet e ardhshme. Për rrjedhojë ne do të eksplorojmë të gjitha mundësitë që parlamenti lejon për të arritur në konkluzionin e reformës zgjedhore me sukses, shtoi Bylykbashi.
Damian Gjiknuri
Reformë në mënyrë pjesore që nuk adreson të gjitha problemet që kanë ngritur organizmat ndërkombëtarë apo problemet që hasen me zgjedhësin, unë mendoj se nuk është zgjidhja e duhur. Unë them që i kemi mundësitë, jemi të hapur të adresojmë të gjitha gjërat që na kanë mbetur: tekstet janë, draftet janë, ekspertët kanë punuar, komisioni e ka brumin e nevojshëm, mekanizmat paralmentare mund të vihen në funksionim nëpërmjet negociatave brenda këtij afati që unë thashë që të kemi një kod zgjedhor, tha socialisti Gjiknuri.
FRD nis dialogun me komunitetin
ndërkombëtar, Oketa takon Wollfarth
Kryetari i Grupit Nismëtar për krijimin e FRD-së, deputeti Gazmend Oketa dhe anëtari i këtij Grupi, Aleksandër Biberaj zhvilluan dje një takim me Ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth në selinë e kësaj Prezence. Ky takim shënon çeljen e dialogut të FRD-së me komunitetin ndërkombëtar në emër të njohjes së miqve dhe partnerëve të Shqipërisë me angazhimin e FRD-së si forca më e re politike në vend, thuhet në njoftimin e FRD. Në takim mësohet të jetë diskutuar për cështje të aktualitetit sic janë përfundimi i reformës zgjedhore si dhe zgjedhja e presidentit të ri. Zyra e shtypit të FRD, thekson se në takim u shkëmbyen mendime rreth pikësynimeve strategjike të FRD-së për krijimin e klimës së nevojshme politike dhe bazën ligjore për të siguruar pavarësinë e institucioneve kushtetuese, në respektim të parimit themelor të demokracisë për ndarjen dhe balancimin e pushteteve, pa të cilat nuk arrihen dot as rezultatet e dëshiruara në luftën ndaj korrupsionit.
Partia Civile: Politikanët e vjetër kanë
zhytur vendin në krizë, të rinjtë e ardhmja
Partia Civile ka mbledhur dje në Korçë simpatizantët e saj në kuadër të riorganizimit dhe forcimit të strukturave në qendër dhe bazë. Kryetari i saj, Dritan Broka, renditi arsyet e themelimit të një partie të re me përbërje të saj kryesisht të rinjtë. Kjo parti ka ardhur nga grupimi Kuvendi Civil dhe nënstrukturat e saj, por duke parë situatat e vështira ku është zhytur vendi dhe mungesën e shpresave tek qytetarët, vendosën të themelonin një parti të re me të ardhme. Situata sot në Shqipëri është më e vështirë se kurrë. Fajtorët e vetëm janë politikanët e vjetër dhe që nuk bëjnë asgjë për qytetarin shqiptar. Kriza ekonomike ka kapluar vendin, ku varfëria mbizotëron në çdo familje dhe po rrënon institucionet. Ka shumë padrejtësi në biznes, politikë dhe administratë. Papunësi dhe varfëri që janë pa krye dhe pa zgjidhje prej kësaj politike të vjetër. Ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo kastë e vjetruar dhe të rilindim shpresat për një Shqipëri më të mirë dhe të barabartë për të gjithë, tha Broka në fjalën e tij.