E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Lulëzim Basha takohet me zyrtarë të lartë indianë

17/12/2008  Hapet përfaqësia diplomatike shqiptar në Indi

Shqipëria shumë shpejt do të përfaqësohet në Indi me ambasadën e saj. Ministri i Punëve të Jashtme Lulëzim Basha është nisur dje për një vizitë treditore në vendin e largët për të marrë pjesë në hapjen e përfaqësisë sonë diplomatike në Nju-Delhi, si dhe do të zhvillojë një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të shtetit indian. Kjo është vizita e parë e këtij niveli që zhvillohet në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Ministrisë së Jashtme, gjatë kësaj vizite Ministri Basha do të zhvillojë takime me homologun e tij indian Pranab Muhjerje, zyrtarët më të lartë të vendit si dhe me përfaqësues të biznesit indian. Temat kryesore të bisedimeve që do të zhvillojë ministri Basha do të jenë bashkëpunimi dypalësh dhe shumëpalësh ndërmjet të dy vendeve si dhe zhvillimet në politikën ndërkombëtare rajonale dhe globale. Kryediplomati shqiptar do të zhvillojë gjithashtu një vizitë në selinë e Urdhrit të Nënë Terezës në Kalkuta, si dhe do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së ambasadës. Në këtë vizitë ministri Basha shoqërohet nga zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Eno Bozdo dhe përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe Konfindustrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›