E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Situata është shumë kritike, evakuohuni

08/01/2010  Kryetarja e Kuvendit vizion Bahçallëkun
“Janë marrë masat për dëmshpërblimin e dëmeve”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nga zonat e përmbytura në Bahçallëk të Shkodrës ka përsëritur thirrjen ndaj banorëve të zonave të përmbytura të vijojnë evakuimin. Kryeparlamentarja mori pjesë në mbledhjet e shtabit të emergjencës dhe vijon të ndjekë nga afër situatën hap pas hapi. Ashtu siç bënë një ditë më parë Presidenti i Republikës dhe kryeministrit i vendit, edhe ajo u garantoi banorëve të Bahçallëkut gjatë takimit me ta se janë marrë të gjitha masat për mbështetjen, por edhe për kompensimin e dëmeve. “Situata vazhdon të jetë kritike, shumë serioze. Liqeni, siç e shikoni, po u afrohet niveleve të rrugës. Drini është i fryrë si kurrë ndonjëherë dhe ka përmbytur këtu lagjen e Bahçallëkut. Unë jam këtu për t’i ftuar banorët e lagjeve të qytetit të Shkodrës, që rrezikojnë më shumë, të vazhdojnë evakuimin. Banorët duhet ta vlerësojnë pa u trembur, por me sens përgjegjësie situatën e rënduar nga mbushja e liqenit të Shkodrës. Edhe pse rruga nuk është mbuluar ende, ata me mençurinë dhe maturinë e tyre duhet ta vlerësojnë situatën dhe të marrin të gjitha masat për të parandaluar çdo gjë negative”, - tha Topalli. Ndërsa është bërë evakuimi i disa familjeve, duhet të vazhdojnë të largojnë fëmijët, gratë, të sëmurët ndërkohë që bashkia po merr të gjitha masat për t’i ndihmuar dhe mbështetur banorët.
Angazhimi
Gjatë këtyre ditëve Kryetarja e Kuvendit ka vizituar banorët e komunave të përmbytura në rrethin e Shkodrës për të ndjekur më afër situatën problematike të krijuar për shkak të shirave të shumta. Ajo ka garantuar banorët për gatishmërinë e shtetit shqiptar, si atë në nivel qendror, ashtu dhe lokal për t’i ndihmuar ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›