E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Olldashi nënshkruan dy marrëveshje me qeverinë gjermane

28/04/2011  Mbrojtja mjedisore e liqenit të Ohrit dhe projekti “Masterpalni në sektorin Ujor”

Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, dhe ambasadorja gjermane në Shqipëri, Karola Myller-Holtkemper, nënshkruan dje dy marrëveshje. Njëra është pjesa e tretë e “Programit për mbrojtjen mjedisore të liqenit të Ohrit” dhe “Masterpalni në sektorin ujor”. Sa i përket marrëveshjes së parë, ajo ka një vlerë prej 10 milionë eurosh dhe është një financim i qeverisë gjermane nëpërmjet KFW. Ndërsa marrëveshja e dytë ka një vlerë prej 2 milionë eurosh dhe është një financim grant i qeverisë gjermane, e cila vazhdon të mbetet kontribuesja kryesore në sektorin e Ujësjellës-Kanalizimeve në vendin tonë. “Me këto dy projekte të reja ne do të arrijmë disa parametra shumë të rëndësishëm, i referohem fillimisht “Masterplanit në sektorit ujor”, i cili do të bëjë të mundur që ne të kemi një metodologji të re, në strategjinë e furnizimit me ujë dhe atë të kanalizimeve, të përcaktimit të mënyrës se si do të investohet, ku do të investohet dhe në ç’menyrë do të investohet”, - tha ministri Olldashi. Gjatë fjalës së saj ambasadorja gjermane falënderoi ministrin Olldashi për bashkëpunimin. “Sektori i ujërave është një ndër tre sektorët kryesorë të angazhimit të qeverisë gjermane në Shqipëri ndaj në bashkëpunim me qeverinë shqiptare ne vendosëm të zhvillonim një masterplan në këtë sektor. Ky masterplan do të jetë një dokument, i cili do të marrë në konsideratë opinionet dhe prioritet e organizatave të ndryshme shqiptare të këtij sektori për sa i përket investimeve të ardhshme”,-shtoi ajo ndër të tjera. Qeveria gjermane mbetet donator kryesor i projektit “Për mbrojtjen mjedisore të liqenit të Ohrit”, i cili zgjidh përfundimisht çështjen e kanalizimeve të qytetit të Pogradecit me një kontribut prej 30 milionë eurosh.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›