E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria përgatit aplikimin për në BE



Bruksel, ministri Basha takon Oli Renin

Sot, takimi Shqipëri - Trojka Evropiane

Shqipëria përgatit aplikimin për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Presidenca çeke mbetet momenti më i favorshëm si periudhë jashtëzakonisht e favorshme për të hedhur hapin tjetër në drejtim të integrimit të mëtejshëm të vendit. Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Lulzim Basha, zhvilloi dje një takim pune në Bruksel, me Komisionerin e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Z. Oli Ren. Ndërkohë që sot ministri Basha do zhvillojë takimin vjetor me Trojkën e BE-së në kuadër të dialogut politik Shqipëri-BE. Gjatë takimit, ministri Basha informoi Komisionerin Ren për ecurinë e reformave në Shqipëri, për zhvillimet ekonomike, për përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit, si dhe për vullnetin e qeverisë shqiptare për të thelluar reformat në çdo fushë. Ministri Basha dhe Komisioneri Ren diskutuan gjerësisht për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe hapave të mëtejshëm në këtë drejtim, në kuadër edhe të koordinimit të veprimeve mes vendit tonë dhe vendeve anëtare dhe Komisionit Evropian. Bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu tek procesi i liberalizimit të vizave me ç’rast, ministri Basha informoi Komisionerin Ren për ecurinë e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike. Por, sipas ministrit tonë të Jashtëm, presidenca çeke mbetet momenti më i favorshëm teksa bëri të qartë periudhën jashtëzakonisht të favorshme për të hedhur hapin tjetër në drejtim të integrimit të mëtejshëm të vendit. Basha bëri të qartë: "Shqipëria nuk demonstron ngërç, as staniacion, as nervozitet për të përshpejtuar në mënyrë të panatyrshme një proces, baza e të cilit është suksesi i reformave”. Ministri vuri në dukje se qeveria shqiptare, Kryeministri shqiptar e kanë bërë të qartë pozicionin e tyre. “Ne e shikojmë gjashtëmujorin e presidencës çeke si një periudhë jashtëzakonisht të favorshme për të hedhur hapin tjetër në drejtim të integrimit të mëtejshëm të vendit", - tha z. Basha. Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë sqaroi se në takimin me Oli Renin nuk është diskutuar ligji i dosjeve, për të cilin zëdhënësja e Komisionerit përsëriti qëndrimin e BE-së. "Diskutimi ka qenë shumë i frytshëm me Komisionerin Ren. Realisht nuk është folur për ligjin e lustracionit. Por qëndrimi i Komisionit Evropian për këtë ligj është i qartë. Po kështu është i qartë qëndrimi i qeverisë shqiptare që u demonstrua me qëndrimin ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ne do të vazhdojmë në respekt të shtetit ligjor të ndjekim këtë proces i cili është i domosdoshëm, jo vetëm për të kaluarën, por ç'është më e rëndësishmja, edhe për të ardhmen e shoqërisë shqiptare", - deklaroi ministri Basha. I pyetur se a do të konsultohet opozita dhe institucionet e tjera që kanë kritikuar ligjin e bërë nga mazhoranca, Basha u shpreh: "Procesi tanimë po vazhdon me ndihmën e ofruar dhe të pranuar nga një numër institucionesh ndërkombëtare. Dhe pa dyshim, ashtu si dhe në fazën e parë të këtij procesi, opozita jo vetëm që ka vendin e saj, por është tërësisht e mirëpritur dhe është e ftuar të marrë pjesë në këtë proces".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›