Ministri Rexhepi nënshkruan marrëveshje me Slloveninë
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi u takua me ministren e Punëve të Brendshme të Sllovenisë, Katarina Kresal, ndërsa me këtë rast u nënshkrua marrëveshja për ripranim.
Kjo marrëveshje u tha se është vazhdimësi e punës së ministrisë për Agjendën Evropiane dhe Liberalizimin e vizave.
Ministri Rexhepi falënderoi Qeverinë e Sllovenisë për përkrahjen e dhënë shtetit të Kosovës për kontributin e madh në njohjen dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe tani në procesin e liberalizimit të vizave.
Ndërsa ministrja sllovene Kresal, tha se takimi me ministrin Rexhepi është si rezultat i një bashkëpunimi të mirë në mes të dy shteteve dhe në veçanti në mes të dy policive. Ajo theksoi se "Një nga arsyet e këtij takimi është nënshkrimi i Marrëveshjes për Riatdhesim, që është një bazë e mirë për Procesin e Liberalizimit të Vizave".
Gjatë kësaj vizitë u bisedua edhe për sigurinë në rajon dhe u tha se së shpejti pritet të nënshkruhet një marrëveshje për siguri në mes të dy shteteve dhe në trajnimin e policive.