E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Tafaj: Asnjë mësues pa master

 

zirina llambro

Reforma të thella në arsim dhe luftë kundër korrupsionit në këtë sistem. Këtë premtoi dje Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, gjatë një takimi me drejtorët e Drejtorive Arsimore Rajonale dhe zyrtarë të tjerë të arsimit.  Mësuesit do të jenë të parët që do të futen në sitë. Nuk do të pranohen më në shkolla mësues pa master, ndërsa në vitin 2013 kush nuk ka plotësuar këtë kriter do të detyrohet të lërë vendin e punës. “Mësuesit e shkollave të mesme në Shqipëri, sidomos të klasave të 11 dhe 12, nuk mund të jenë mësues, pa përditësuar njohuritë e tyre në fushën shkencore, ku kanë kryer studimet për lëndën bazë që bëjnë pa thelluar studimet përmes studimeve të masterit. Nuk mund të punojë në klasë me nxënësit që kanë kontakt përditë me kompjuterin, me anglishten, apo me një gjuhë tjetër të parë”, bëri të ditur Myqerem Tafaj. Ai shtoi se do të ketë transparencë maksimale ndaj publikut, e tolerancë zero ndaj çdo shfaqje korruptive në çdo nivel të arsimit. Për të konkretizuar këtë, ne së shpejti në MASH do të shpallim 2 numra telefoni, një numër telefoni fiks dhe një numër celular, ku çdo qytetar, çdo mësues, çdo prind, do të ketë mundësi t’i drejtohet çdo niveli të vendimmarrjes në sistemin e arsimit, për problemet, shqetësimet që ka. Të njëjtën gjë do të bëjë çdo DAR, ZA. Duke i konsideruar mësuesit aktorët e ndryshimit dhe faktor bazë për çdo rezultat të çdo reforme që do të kryhet në arsim, ministri premtoi rritje pagash. “Rritja e mëtejshme e statusit të mësuesit, përmes përmirësimit të pagës, do të vazhdojë më tej. Objektiv i ynë është për të vijuar rritjen e pagave drejt mesatares së 6 vendeve të reja të BE”, tha Ministri i Arsimit. Duke folur për buxhetin e Arsimit, ministri Tafaj nënvizoi se në vitin 2013 sistemi i arsimit në tërësi do të absorbojë të paktën 2 herë më shumë buxhet sesa absorbon sot. Sa i përket arsimit parashkollor, ministri shpalli një tjetër  objektiv. “Çdo fëmijë 5-vjeçar duhet të shkojë në kopsht. Ne do të ndërtojmë kopshte aty ku është e nevojshme, në mënyrë që të krijojmë mundësitë që 100% e fëmijëve 5-vjeçarë të shkojnë në kopsht”, tha Tafaj. Sakaq ai shtoi se do të nisë ndërtimi i një rrjeti të ri godinash në funksion të arsimit të mesëm. “Janë 7 konvikte të reja që ndërtohen këtë vit, e krijojnë mundësi të plota që nxënësit e zonave të thella të sistemohen në konvikte, aty ku ekzistojnë kapacitetet dhe të kryejnë arsimin e mesëm me nivelin e cilësinë e kërkuar, në mënyrë që të kenë rrugën e hapur për të vijuar Arsimin e Lartë, apo për të mësuar një profesion”, tha Tafaj.  Reforma e kurrikulës së arsimit 9-vjeçar, do të synojë të çojë nxënësit në një dëftesë lirimi, e cila është e standardit evropian, me të cilën çdo nxënës me familjen e tij, për një shkak ose një tjetër, kalon kufirin, shkon në një shtet tjetër, shkon në klasën përkatëse pa asnjë provim plotësues. E njëjta filozofi që do të përdoret, do të ndiqet në Arsimin e Mesëm dhe në Arsimin e Lartë.

Objektivat e Reformës

Nuk do punësohen mësues pa master Në kopsht çdo fëmijë 5 vjeç Rritje pagash për mësuesit Investime në infrastrukturë Luftë kundër korrupsionit Rritje të buxhetit për arsimin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›