E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Brendshëm britanik takon Berishën e Topin

Kryeministri i venidt Sali Berisha ka zhvilluar një takim me Ministrin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Koker. Gjatë këtij takimi, tema kryesore e diskutimit ka qenë ligji i lustracionit, për të cilin Berisha akuzoi edhe një herë tjetër Gjykatën Kushtetuese, se ka marrë një vendim në konfilikt interesi.
Sidoqoftë, theksoi kryeministri, qeveria, e cila është angazhuar për një lustracion bazuar tërësisht mbi parimet e shtetit ligjor, e njohu këtë vendim, megjithëse e konsideron atë, një vendim jashtë çdo standardi të shtetit të së drejtës. Ministri Coaker iu përgjigj kryeministrit Berisha se është në nderin e qeverisë shqiptare dhe të kryeministrit Berisha që, megjithëse ligji synon të rivendosë integritetin e moralit shoqëror, ka vendosur ta trajtojë atë në përputhje të plotë me parimet e shtetit ligjor. Ministri Coaker vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe lidhjet shumë të ngushta të bashkëpunimit midis dy qeverive. Ai vlerësoi arritjet shumë evidente të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit. Ministri Coaker i bëri me dije kryeministrit Berisha se vizita e tij ka për qëllim të rikonfirmojë këto marrëdhënie të shkëlqyera dhe t'i rishprehë kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të qeverisë së Britanisë së Madhe për reformat, si dhe për anëtarësimin e plotë në NATO dhe hapat e mëtejshëm të integrimit në BE. Jemi shumë të lumtur që "Shqipëria do të jetë së shpejti anëtar i plotë i NATO-s dhe jemi të sigurt se me politikën e saj konstruktive e të maturuar në rajon, Shqipëria do të jetë një anëtar i rëndësishëm i NATO-s dhe do të ofrojë një kontribut të madh për stabilitetin e paqen në rajon", u shpreh ministri Coaker. Zyrtari britanik pati një takim edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Presidenti shprehu interesimin e shtetit shqiptar për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të frytshëm mes dy vendeve në të gjitha fushat, por sidomos në aspektin e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Në këtë pikë presidenti Topi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer në "kuadër të Misionit "PAMECA 3" për rritjen e nivelit të profesionalizmit të policisë shqiptare në drejtim të ruajtjes dhe kontrollit të kufijve, sigurisë kombëtare dhe rajonale, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", etj. Koker vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon e më gjerë, duke theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të partneritetit të shkëlqyer dhe bashkëpunimit të frutshëm mes vendeve tona. "Shqipëria e ka provuar tashmë se do të jetë një aleate dhe anëtare e denjë e NATO's".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›