Nishani: Infrastruktura ligjore dhe teknike, garanci për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Kreu i shtetit takon reporterët e Këshillit të Evropës
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në takim raporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët ndodhen në Shqipëri për të vlerësuar përgatitjet për zgjedhjet e 23 qershorit.
Në përgjigje të interesimit të raporterëve të KiE-së, Presidenti Nishani tha se Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet institucionale dhe infrastrukturore për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme në përputhje me standardet evropiane. Ai shprehu besim se pjekuria e opinionit publik, zhvillimet pozitive në infrastrukturën ligjore dhe teknike, si dhe angazhimi i madh i faktorit ndërkombëtar në dhënien e asistencës dhe monitorimin e procesit zgjedhor janë faktorë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Presidenti Nishani bëri një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve dhe transformimeve demokratike në Shqipëri duke u ndalur tek bashkëpunimi me KiE-n dhe eksperiencën e suksesshme të Shqipërisë si Presidente e këtij Këshilli.
Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se sfida më e rëndësishme mbetet sjellja e përgjegjshme e partive politike para, gjatë dhe pas procesit elektoral