“Partitë politike të zgjidhin ngërçin në KQZ”
Raportuesit e KiE
Dy bashkë-raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jonathan Evans nga Mbretëria e Bashkuar dhe Grigore Petrenco nga Moldavia, në përfundim të vizitës dyditore faktmbledhëse në Tiranë, i bënë thirrje partive politike që të zgjidhin bashkërisht çrregullimin aktual në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Ne nxisim fuqimisht të gjitha partitë politike të bëhen bashkë në mënyrë urgjente dhe të zgjidhin çrregullimin aktual që po ndikon në funksionimin e KQZ-së”, thuhet në deklaratën për shtyp të publikuar për mediat nga dy raportuesit.
“Në takimet që bëmë konstatuam se partitë politike presin që ne të luajmë rolin e arbitrit, por, në fakt nuk është ky roli ynë. Qëllimi dhe detyra jonë është thjesht të konstatojmë se si është situata dhe me atë që ne shohim situata është shqetësuese. Sigurisht, i takon faktorit shqiptar të bëjë zgjedhjet e duhura”, deklaruan raporterët e KiE.
“Ne ndodhemi në Shqipëri si raportuesit e caktuar nga Këshilli për procedurën monitoruese dhe roli ynë është të vlerësojmë nëse Shqipëria është në gjendje të përmbushë detyrimet e saj, përfshirë sigurimin e demokracisë parlamentare dhe zgjedhjet e lira e të ndershme sipas standardeve të KiE-së”, thuhet në deklaratë.
Raporterët vlerësojnë se KiE-së ka një obligim për të gjitha partitë politike shqiptare për ndërtimin e besimit mes popullit shqiptar për realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në muajin Qershor.
“Vizita jonë përkoi me një periudhë të trazuar në lidhje me përbërjen e KQZ-së, një organ që ne besojmë se jo vetëm duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm, por ka edhe një rol vendimtar në sigurimin e zgjedhjeve të tilla. Ne nxisim fuqimisht të gjitha partitë politike të bëhen bashkë në mënyrë urgjente dhe të zgjidhin çrregullimin aktual që po ndikon në funksionimin e KQZ-së”, theksojnë raporterët.
Sipas tyre, zgjedhjet janë gjithashtu vendimtare për vlerësimin e nevojës për vazhdimin e procedurës monitoruese të Këshillit të Europës, si dhe për kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Kjo i është bërë e qartë të gjithë personave që kemi takuar gjatë kësaj vizite monitoruese.
“Do të ishte i pakonceptueshëm avancimi me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, ndërkohë që vazhdohet me procedurën monitoruese të Këshillit të Europës. Jemi të zhgënjyer që për ndryshimet legjislative, të diskutuara tashmë deri në një farë mase me BE-në, nuk është bërë progres në parlament gjatë vitit që shkoi. Nënvizojmë sidomos ndryshimet në ligjin ‘Për Gjykatën e Lartë’, ligjin e ‘Shërbimit Civil’ dhe Rregulloren e Parlamentit. Kjo mungesë progresi është veçanërisht frustruese kur duket se palët ishin shumë pranë arritjes së marrëveshjes për këto çështje”, nënvizohet në deklaratën për shtyp të raporterëve të KiE-së. Po ashtu, KiE pret gjithashtu progres në lidhje me kërkesat e vetë Këshillit të Europës për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.
Raportuesit bënë me dije se javën e ardhshme, do t’i raportojnë Komitetit Monitorues të Këshillit në Strasburg, për t’iu dhënë hollësi në lidhje me përgatitjet në Shqipëri për zgjedhjet e 2013-s dhe me progresin e saj të përgjithshëm për respektimin e detyrimeve të Këshillit të Europës.