E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Punëve të Jashtme z. Lulzim Basha pret Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Ambasadorin Martin Erdmann

21/11/2007

Ministri Basha priti sot në një takim të veçantë Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Ambasador Martin Erdmann, i cili ndodhet në Shqipëri në krye të një Ekipi të Zgjeruar Faktmbledhës të Aleancës.

Ministri Basha e informoi Ambasadorin Erdmann për zhvillimet më të fundit në Shqipëri në planin politik, ekonomik, situatën e brendshme dhe përpjekjet e Shqipërisë në drejtim të zbatimit të reformave në kuadër të procesit të MAP-it.

Ministri u ndal veçanërisht në hapat e hedhur në drejtim të reformës elektorale dhe reformës në sistemin e drejtësisë dhe në rezultatet e fundit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve. Ministri Basha shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar kontributin e saj në misionet e drejtuara nga NATO dhe në luftën kundër terrorizmit.

Duke vlerësuar bashkëpunimin dhe ndihmën e Stafit Ndërkombëtar të NATO-s dhe të Ekipit të Zgjeruar Faktmbledhës, ministri Basha e garantoi Ambasadorin Erdman për vendosmërinë e Shqipërisë për të vazhduar në rrugën e reformave të pakthyeshme të domosdoshme për anëtarësimin në Aleancë, si dhe shprehu besimin se përpjekjet e Shqipërisë do të vlerësohen dhe Shqipëria do ta meritojë ftesën në Samitin ardhshëm të Bukureshtit.

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm, Ambasadori Erdmann vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në të gjitha fushat, kontributin e saj në misionet e drejtuara nga NATO dhe luftën kundër terrorizmit si dhe inkurajoi vazhdimin e politikës konstruktive të qeverisë së Shqipërisë në rajon.

Ambasadori Erdmann shprehu besimin se thellimi dhe realizimi i objektivave të reformës, do të bëjë të mundur që Shqipëria të vlerësohet në Samitin e Bukureshtit me ftesën për anëtarësim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›