E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Shtetit për Koordinim, Zoti Marko Bello, priti në një takim të vecantë Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë znj. Marcie Ries. Në takim mori pjesë, gjithashtu, z.Bruce Hin

Ministri i Shtetit për Koordinim, Zoti Marko Bello, priti në një takim të vecantë Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë znj. Marcie Ries. Në takim mori pjesë, gjithashtu, z.Bruce Hintz, Drejtor i Misionit ICITAP për Shqipërinë.

Ministri Bello e falenderoi znj.Ries për kontributin dhe mbështetjen që qeveria e SHBA i ka dhënë Shqipërisë nëpërmjet Ambasadës dhe agjensive të specializuara, të cilat janë të angazhuara për të ndihmuar konkretisht Qeverinë Shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe angazhimet e saj para partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht për luftën kundër trafiqeve të paligjëshme dhe korrupsionit..

Duke u ndalur në arritjet e evidentuara në fushën e luftës kundër trafikimit të qënieve njerëzore, si dhe angazhimit konkret të Qeverisë Shqiptare për këtë qëllim, Ministri Bello theksoi se së fundmi me vendim të Këshillit të Ministrave dhe urdhër të Kryeministrit janë miratuar dy dokumente tejet të rëndësishëm, respektivisht Strategjia Kombëtare kundër Trafikimit të Fëmijëvë dhe Plani Kombëtar i Veprimit Antitrafik 2005-2007.
Ai theksoi se këto dokumente janë bazuar në rekomandimet e Departamentit të Shtetit dhe strukturat partnere të BE-së. Duke komentuar Planin Kombëtar të Veprimit 2005-2007 ai shpjegoi se ky është një plan i detajuar, me afate kohore dhe strukturat përkatëse përgjegjëse për zbatimin e masave të parashikuara, duke u bazuar në parimet e përgjegjësisë së strukturave shtetërore për luftën ndaj fenomenit, pjesëmarjes aktive të shoqërisë civile, si dhe respektimit të të drejtave të njeriut në trajtimin e viktimave.
Arritjet e deritanishme nuk na bëjnë të ndihemi të vetëkënaqur, përkundrazi, axhenda jonë është mjaft ambicioze duke treguar qartë vendosmërinë tonë për t'ju përgjigjur sofistikimit të fenominit me struktura sa më efikase. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare mbetet një prioritet i punës tonë, theksoi z.Bello.

Ne dëshirojmë që ndihma dhe asistenca e ofruar të fokusohet në fushat e cilësuara si prioritare jo vetëm nga qeveria Shqiptare, por edhe nga partnerët tanë për t'i dhënë një impuls të ri përpjekjeve tona në luftë kundër trafikut të qënieve njerëzore.

Ambasadorja e SHBA, znj.Ries, shprehu vlerësimin për arritjet e rëndësishme dhe konkrete të Shqipërisë gjatë tre viteve të fundit në këtë drejtim, duke theksuar se bashkëpunimi dypalësh ka qenë sinjifikativ në progresin e arritur. Gjithashtu, ajo shprehu vlerësimet maksimale në drejtim të materialit të paraqitur nga Qeveria Shqiptare për raportin vjetor të Departamentit të Shtetit, duke theksuar vecanërisht bashkëpunimin e ngushtë me zyrën e Ministrit të Shtetit për Koordinimin.

Mendojmë se ndajmë të njëjtim pikëpamje, u shpreh znj.Ries, në lidhje me faktin se mbështetja financiare e donatorëve duhet të mirëkoordinohet dhe të jetë në sinkron me objektivat prioritare të Qeverisë. Ashtu sikundër ju theksuat, u shpreh znj.Ries, programet në drejtim të ri-integrimit dhe rihabilitimit të viktimave të trafikimit janë tejet të rëndësishme, në stadin aktual të përpjekjeve të Qeverisë për të luftuar këtë fenomen.

Znj.Ries theksoi se vullnetet tona janë të përbashkëta për të lëvizur sa më shpejtë në drejtimin e duhur dhe për këtë garantoi se mbështetja, ashtu si deri më tani do të vazhdojë të thellohet edhe në të ardhmen.

Ministri Bello në përfundim siguroi znj.Ries se vullneti dhe angazhimi i qeverisë Shqiptare do të vazhdojnë të jenë pjesë e pandarë e bashkëpunimit tonë të ardhshëm, me qëllim që të thellohet progresi drejt integrimit në strukturat Euro-Atlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›