Rikthehen përleshjet në Mitrovicë, plagosen 21 ushtarë të KFOR-it
Operacioni për heqjen e barrikadës në Rudare ka rindezur tensionin në veri të Kosovës. Serbët përplasen me forcat paqeruajtëse, zëvendësojnë barrikadën me kamionë të mbushur me zhavorr. KFOR: Qëlluam në ajër dhe përdorëm gaz lotsjellës
Rikthehen përleshjet e dhunshme në veri të Kosovës, ku përpjekjet për të hequr një barrikadë kanë shkaktuar plagosjen e 21 ushtarëve të KFOR-it. Zyrtarët e KFOR-it njoftuan dje se 21 ushtarë kanë pësuar lëndime në orët e natës, gjatë largimit të një barrikade rrugore në pjesën veriore të Kosovës. Shefi i zyrës për informim të KFOR-it, Uve Novicki, ka thënë për Radion Europa e Lirë, se pas largimit të barrikadës në Rudare, forcat paqeruajtëse kanë reaguar duke përdorur edhe gazin lotsjellës, për të shpërndarë serbët që synonin të mbronin barrikadën. “Mbrëmjen e mërkurë, pas orës 23:00, KFOR-i me sukses mori nën kontroll bllokadën e vendosur në Rudare, pa ndonjë incident. Në mesnatë, numri i protestuesve u shtua. Me vete sollën edhe tre kamionë dhe avancuan drejt trupave të KFOR-it"-tha ai. Sipas Novickit, protestuesit shfrytëzuan forcën, përfshirë këtu edhe hedhjen me gurë, duke shtyrë prapa forcat e KFOR-it, duke i sulmuar me kamionë të mbushur me zhavorr. "Forcat e KFOR-it u detyruan të shtien në ajër, si shenjë paralajmëruese dhe gjithashtu KFOR-i ka përdorur edhe gazin lotsjellës dhe shkopinj gome, për vetëmbrojtje nga protestuesit që përcillnin kamionët"-pohoi më tej shefi për informim i KFOR-it. Për të parandaluar mundësinë e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfrontimit dhe për të mos rrezikuar të dyja palët, KFOR-i mori vendim për të ndërprerë operacionin. KFOR-i konfirmon se 21 ushtarë kanë pësuar lëndime. Nga ana tjetër, edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka treguar për aksionin e KFOR-it në Veri dhe ka shpjeguar se pas largimit të barrikadës, serbët lokalë kanë vendosur një barrikadë tjetër prej zhavorri. “Janë vendosur sërish kamionë me zhavorr, për të bllokuar krejtësisht rrugën magjistrale Mitrovicë–Leposaviq, përkatësisht fshatin Rudare të komunës së Zveçanit”,- ka bërë të ditur Hoti. Nga ana tjetër, Radenko Nedeljkoviq, njëri nga përfaqësuesit e serbëve në veri të Mitrovicës, në një prononcim për mediat serbe ka thënë se aksioni i KFOR-it ishte i njëanshëm. “Çfarë kanë dashur ata të bëjnë mbrëmë, unë në këtë moment nuk di. Por, mund të them se ai ishte një demonstrimi i fuqisë. Në anën tjetër, prapë janë ballafaquar me njerëzit, të cilët nuk duan që t’i largojnë barrikadat. Barrikadat për ne nuk janë qëllim, por janë mjet për t’i përmbushur qëllimet tona, e ato janë që të mbesim këtu, si pjesë e Serbisë”, -ka thënë Nedeljkoviq. Aktualisht, sipas autoriteteve të rendit, situata është e qetë. Po mbrëmë, pas mesnate, në afërsi të zonës së tre rrokaqiejve, ka ndodhur një shpërthim. Nga ky shpërthim janë shkaktuar dëme materiale në tre automjete civile, ka njoftuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti. “Dy nga automjetet janë pronë e qytetarëve të përkatësisë etnike shqiptare dhe një tjetër e një banori serb. Nuk është raportuar për të lënduar nga ky shpërthim”,- ka njoftuar Hoti. Hoti ka thënë se deri tash është gjetur një granatë dore e tipit M75, prodhim jugosllav. Lagjja e tre rrokaqiejve është zonë e banuar me popullatë të përzier në Mitrovicë. Që pas aksionit për futjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të vendit, të cilin autoritetet kosovare e ndërmorën kah mesi i muajit korrik, e deri më tani, në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mbesin disa barrikada rrugore, të vendosura nga serbët si shenjë kundërshtimi për shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare edhe në atë pjesë.
Thaçi: Dënojmë dhunën kundër KFOR-it
Prishtinë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj forcave të KFOR-it në Mitrovicë. Në një njoftim zyrtar të zyrës së Kryeministrit kosovar thuhet se do dalin para drejtësisë ë gjithë personat e përfshirë në incidentin e djeshëm, ku 20 ushtarë të KFOR-it u lënduan. “Qeveria është e vendosur dhe përkrah vendosjen e plotë të sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit. Të gjitha ato struktura kriminale në Veri, që pengojnë lirinë e lëvizjes dhe konfrontohen me institucionet e Kosovës dhe me trupat paqeruajtëse të NATO-s, shumë shpejt do të dalin para drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar”,-thuhet në reagimin e Kryeministrisë së Kosovës.