E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria: Kemi 30 milionë dollarë për ushtarakët

• Buxheti i vitit të ardhshëm për pagat dhe pensionet suplementare për ushtarakët do të jetë 30 milionë dollarë.Adi Shkëmbi Këtë e bëri të ditur dje zv/ministri i Mbrojtjes, Petrit Karabina, gjatë një konference për shtyp, një ditë pas protestës së ish-ushtarakëve. “I kërkojmë ushtarakëve të distancohen nga manipulime politike. Ministria e Mbrojtjes në buxhetin e vitit 2008 ka parashikuar rreth 30 milionë dollarë për pensionet dhe pagat suplementare”, u shpreh dje numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes. Duke iu referuar pikërisht protestës së fundit të ish-ushtarakëve në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të opozitës, zv/ministri i Mbrojtjes i kërkoi Shoqatës së ish-Ushtarakëve që të mos përdoren politikisht nga opozita. Sipas Karabinës, opozita kërkon vetëm të përdorë ish-ushtarakët, pasi për tetë vjet në pushtet nuk arriti të bëjë një ligj të mirëfilltë për pensionet e tyre. “Askush nuk ka të drejtën të manipulojë politikisht pensionet suplementare të ushtarakëve. Eshtë e turpshme që opozita, e cila për 8 vjet vetëm i mashtroi pa u dhënë asnjë të drejtë, asnjë qindarkë, të shfaqet sot në mbrojtje të tyre. Eshtë për të ardhur keq që opozita të përfaqësohet sot nga njerëz, të cilët nuk e kanë idenë se ç’është ushtaraku apo reformat, që kërkojnë që ky vend të jetë pa Forca të Armatosura, apo që edhe për shkak të staturës së tyre nuk mund të jenë pranë Forcave të Armatosura”, u shpreh më tej zv/ministri i Mbrojtjes. Në të njëjtën kohë, Karabina shtoi, se Ministria e Mbrojtjes paraqiti në Kuvend një ligj, që me vendim të Gjykatës Kushtetuese u kërkua të amendohej. Në thelb, sipas Karabinës, çdo ndryshim i ligjit kërkon një zgjidhje financiare, që është në proces nga Ministria e Financave dhe qeveria, mbështetur në këtë vendim gjykate. Zv/ministri i Mbrojtjes, bëri të ditur gjithashtu se politika e kësaj ministrie në këto dy vite të qeverisjes së djathtë ka synuar pikërisht realizimin e standardeve të NATO-s. “Ministria e Mbrojtjes dhe ministri, kanë pasur dhe kanë respektin maksimal për të gjithë ata njerëz në uniformë, të cilët i kanë shërbyer atdheut të tyre. Kjo është provuar në këta dy vjet, ku politika e vetme ka qenë realizimi i standardeve të NATO-s, për të cilat jemi vlerësuar vetëm pozitivisht. Jemi përpjekur të ndërtojmë një Forcë të Armatosur aktive, standard NATO-s dhe jo të kthehemi në Forcë të Armatosur rezerviste pa mision dhe qëllim. Për ne çdo ushtarak i çdo kohe që i ka shërbyer atdheut dhe detyrës dhe jo makinacioneve politike, është i nderuar dhe respektuar”, theksoi më tej Karabina.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›