E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria: Në shtator, çdo gjyqtar do të ketë sekretare të re

Shtatori do të mbahet mend si muaji i ndryshimeve të mëdha në Gjykatën e Tiranës. Përfundimi i pushimeve dhe dita e parë e punës në shtator përkon edhe me ndryshimet në sekretaret e çdo gjyqtari në këtë gjykatë. Nuk është një vendim i marrë nga kreu i gjykatës, por as me kërkesë të vetë gjyqtarëve. Kjo është masa më e re e ndërmarrë në këtë gjykatë nga Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili ka vendosur që t’i japë fund “afeksionit” të tepërt mes gjyqtarëve dhe sekretareve të tyre. Lajmi bëhet i ditur nga burime të brendshme në këtë gjykatë, ndërkohë që ndryshimet e zyrave ku do të punojnë është e reja më e fundit që qarkullon prej katër ditësh në gjykatën më të madhe në vend. Një fakt i tillë është bërë i ditur sapo në Gjykatën e Tiranës ka mbërritur rezultati i një inspektimi të bërë gjatë muajit maj në këtë gjykatë, ku është vëzhguar puna e gjyqtarëve, sekretareve të tyre, marrëdhëniet mes tyre, si dhe zbatimi i detyrave të lëna nga kreu i institucionit të drejtësisë dy muaj më parë, gjatë një takimi që ka pasur me to. Por, theksojnë burimet nga kjo gjykatë, ndryshimet e zyrave ku do punojnë nuk ka qenë e vetmja e re e këtij raporti për to, pasi nga ana tjetër, inspektorët kanë konstatuar se disa sekretare për shkak të afeksionit nuk kanë zbatuar si duhet detyrat e lëna, duke detyruar Ministrinë e Drejtësisë të propozojë masa disiplinore. “Por, rezultatet e raportit për punën tonë dhe sekretaret që nuk e kanë ushtruar si duhet punën e tyre, ende nuk na është komunikuar. Raporti i është dorëzuar kancelarit të gjykatës, Ilir Saulit, dhe presim dita-ditës të dimë se kush është propozuar për masë disiplinore”, - shprehen disa nga sekretaret, duke shtuar se “mbërritjen e raportit në gjykatë e kanë mësuar ditën e hënë”.

Raporti

Prej katër ditësh në duar të gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës ka mbërritur raporti përfundimtar i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, brenda të cilit janë renditur shkeljet e gjetura dhe masat disiplinore që do të propozohen në Këshillin e Lartë të Drejtësisë për gjyqtarët e gjetur shkelës të ligjit. Ministri Alibeaj u ka vënë në dispozicion përfundimin e inspektimit, me qëllim paraqitjen e observacioneve të tyre lidhur me rezultatet e raportit të inspektorëve. Fundi i kësaj jave do të jetë dhe afati i fundit që ministri u ka lënë gjyqtarëve në dispozicion për të dorëzuar observacionet. Sipas burimeve nga gjykata, inspektimi filloi në mesin e muajit maj dhe përfundoi në fund të atij muaji. Objekt i kontrollit të inspektorëve ka qenë puna e sekretareve, puna e gjyqtarëve, ora kur fillonin dhe mbaronin gjyqet, respektimi i orareve nga gjyqtarët, etika e tyre gjatë ushtrimit të funksionit si gjyqtarë, etj. Gjyqtarët që janë gjetur në moszbatim si duhet të funksionit të tyre, nuk kanë zbatuar me përpikmëri oraret e gjyqeve, etikën e gjyqtarit apo dhe shkelje të tjera të konstatuara nga inspektorët, do të propozohen për masa disiplinore. Gjithashtu, ka mbërritur në duar të disa gjyqtarëve edhe raporti i inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, lidhur me lirimin e disa të dënuarve, raport ky i bërë publik në atë kohë nga ish-ministri Ilir Rusmali. I njëjti raport u ka mbërritur edhe gjyqtarëve në tri gjykatat e tjera, duke u lënë kohë një javë gjyqtarëve të paraqesin observacionet e tyre.

Masat

Sekretaret gjyqësore do të penalizohen me masa disiplinore për moszbatim si duhet të detyrave të lëna nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, lidhur me “përgjimin” e gjyqtarëve me të cilët punojnë. Kështu, gjatë inspektimit ka rezultuar se disa sekretare nuk kanë raportuar si duhet ose kanë publikuar të dhënat në internet abuzivisht, me qëllim mbrojtjen e punës së gjyqtarëve me të cilët punojnë. Për këtë qëllim, disa prej sekretareve do të penalizohen nga kancelari, pas raportit të dërguar nga Ministria e Drejtësisë, madje me masa konkrete disiplinore për to. Masa tjetër është ndryshimi i zyrave për sekretaret, duke ndërruar në këtë mënyrë gjyqtarët me të cilët punojnë prej vitesh. Në shtator secila prej tyre do të punojë me gjyqtar tjetër. Masat disiplinore pritet që sekretareve gjyqësore t’u komunikohen nga kancelari i gjykatës, Ilir Sauli. Ndryshimet do të përfshijnë gjithë sekretaret, përveç punonjëseve të kryesekretarisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›