Tenderat e ministrave, çmimet i vendos Nishani
ADI SHKEMBI
Ministria e Brend-shme do të përcaktojë çmimet e mallrave dhe shërbimeve për administratën. Në mbledhjen e dy javëve më parë, qeveria ka miratuar një vendim të hartuar pikërisht nga dikasteri i Bujar Nishanit, ku thuhet se kjo ministri do të unifikojë çmimin e shërbimeve që do të prokurohen nga institucionet shtetërore, nëse për të njëjtin produkt ato japin çmime të ndryshme. Ky vendim, megjithëse hartohet nga e para, vjen si përmirësim i vendimit të miratuar një vit më parë “për ngarkimin e Ministrisë së Brendshme, për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, për disa mallra dhe shërbime, në emër dhe për llogari të institucioneve të varësisë”. Sipas relacionit, “baza ligjore që parashikon prokurimet e përqendruara nuk është e plotë. Për këtë shkak, njësia ka hasur në një sërë vështirësish, të cilat kanë ndikuar ecurinë normale të punës. Autoritetet kontraktore për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj kanë specifikime dhe çmime të ndryshme”, thuhet në relacion. Ndërkohë në vendimin e qeverisë të 10 janarit 2007 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik thuhet se ‘kur autoriteti kontraktor nuk është në gjendje të hartojë specifikimet teknike, atëherë mund të ndihmohet nga grupi qendror blerës. Nëse organi qendror blerës gjykon se specifikimet teknike nuk janë përgatitur në pajtim me legjislacionin për prokurimin publik ose mund të shkaktojnë dështim të procedurës së prokurimit, mund t’i kërkojë autoritetit kontraktor rishikimin e tyre. Nëse autoriteti kontraktor nuk bie dakord, ai mbetet plotësisht përgjegjës nëse procedura dështon, si rezultat i mangësive në hartimin e specifikimeve teknike’”.
Vendimi
Drafti përcakton Ministrinë e Brendshme si organin qendror blerës për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për llogari të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës për blerjen e të gjitha shërbimeve. Në listën e shërbimeve që do prokurojë kjo ministri janë blerja e automjeteve, blerja e pajisjeve për mobilim zyrash, blerje pajisjesh elektronike etj. “Ministria e Brendshme të prokurojë fondin limit, të llogaritur si shumë e fondeve buxhetore, të miratuara për çdo institucion, për secilin nga mallrat dhe shërbimet e përmendura në pikën 1 të vendimit. Autoritetet kontraktore brenda datës 31 janar, të dërgojnë në Ministrinë e Brendshme, si organi qendror blerës, të dhënat, teknike e sasiore dhe fondin përkatës, për çdo prokurim”, thuhet në vendim. Ndërkohë në germën ‘d’ të pikës 4 të tij përcaktohet pikërisht Ministria e Brendshme si unifikuese e çmimeve për mallrat e shërbimet. “Organi qendror blerës ka këto detyrime dhe përgjegjësi, të: unifikojë specifikimet teknike për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave, të institucioneve përgjegjëse, ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj. Në këto raste organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra”, thuhet më tej në vendim. Ministria e Brendshme mund të zhvillojë procedurë prokurimi edhe kur kërkohet nga një grup institucionesh kontraktore, që nuk janë përcaktuar në vendim, apo për mallra e shërbime që nuk i prek ky akt ligjor.
Shërbimet që do prokurohen nga Ministria e Brendshme
Blerje automjetesh
Blerje karburanti
Blerje materiale kancelarie
Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash e shkollash
Abonim në shtyp
Blerje materialesh të ndryshme për pastrim
Blerje uniformash, veshmbathjesh dhe elementesh të tjerë, përbërëse të tyre
Blerje këpucësh
Blerje pjesësh ndërrimi për automjete, për shërbimet profilaktike
Blerje tonerash
Blerje pajisjesh elektronike dhe telekomunikacioni
Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi
Sigurim automjetesh
Shërbim interneti dhe email-i
Shërbimi për ruajtje me roje private
Shërbim pastrimi
Shërbim lyerje ndërtesash
Vonesat
Në vendim parashikohet gjithashtu se në rast se autoritetet kontraktore kanë kërkesa, pasi është bërë publikimi i njoftimit të kontratës së prokurimit, organi qendror blerës verifikon arsyet e vonesës dhe vendos për shpalljen ose jo të procedurës së re të prokurimit për këto kërkesa. Gjithashtu me miratimin e këtij vendimi, qeveria ka shfuqizuar vendimin e miratuar në 16.01.2008 “Për ngarkimin e Ministrisë së Brendshme për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, për disa mallra dhe shërbime, në emër dhe për llogari të institucioneve të varësisë”.