E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Kamzës shkatërron tendën e G99-S



Dje, rreth orës 14:00, në qendër të bashkisë Kamzë, vullnetarët e G99-s janë konfrontuar me pesë persona të veshur me uniformën e Policisë Bashkiake të Kamzës, të cilët kanë ushtruar dhunë psikologjike ndaj tyre dhe kanë shkatërruar tendën në të cilën këta të rinj shpërndanin në mënyrë paqësore materiale të printuara të G99-s. Policët kanë shkatërruar materialet e tendës, kanë marrë publikimet dhe kanë kërcënuar vullnetarët duke i urdhëruar të largohen dhe mos të kthehen më. Në lidhje me këtë incident ka reaguar Arbjan Mazniku, kandidat i G99-s për qarkun e Tiranës, i cili ka shkuar menjëherë në vendngjarje. Mazniku ka thënë se G99-a do të bëjë kallëzim penal për incidentin. “Qeveria po tregon që është e trembur nga ndryshimi, po tregon që nga frika po reagon në mënyrë të papërgjegjshme, është e gatshme të dërgojë një turmë policësh për të shkatërruar një tendë. Kjo është shenjë e dëshpërimit të kësaj qeverie, së cilës i kanë ngelur më pak se 35 ditë kohë”, - tha Mazniku.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›