E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Durrës, apel të rinjve që të përfshihen në politikë



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim me të rinjtë e qytetit të Durrësit. Në këtë takim Rama ka nënvizuar se politika e re e Partisë Socialiste synon që të rinjtë të marrin në dorë fatet e vendit. Ai u ka bërë thirrje të rinjve që të përfshihen në politikë për të ndryshuar vendin. “Sot është momenti që ju të përfshiheni. Sot është momenti që ju t’i jepni politikës përmasën e zemrës tuaj, e cila rreh sepse shpreson, e cila rreh sepse ëndërron, e cila rreh sepse ju jetoni në një realitet ku me patjetër kërkoni ndryshimin, për veten tuaj, për familjen tuaj, shkollën tuaj, qytetin tuaj dhe vendin tonë. Unë dua t’ju them se politika është në dorën tonë. Përmes zemrave tona të bashkuara dhe mendjeve tona të bashkuara ne mund ta kthejmë politikën në një instrument për të bërë të mundura sot gjëra që duken të pamundura. Mund ta kthejmë politikën në ilaç për të shëruar plagë që sot duken të pashërueshme. Mund ta kthejmë politikën në krahë që të na ndihmojnë drejt stacionesh që duken të paarritshme. Asgjë nuk është e pamundur nëse jemi të gjithë bashkë. Asgjë nuk është e pamundur në rast se ne shohim te njëri-tjetri një fuqi më shumë dhe në rast se së bashku i japim vendit një fuqi të re, përmes një politike të re, që është politika e njerëzve, që është politika me njerëzit, që është politika për njerëzit, dhe jo politika e politikanëve për politikanët dhe me politikanët. Për të hyrë në një drejtim të ri, për t’i dhënë fund kësaj rruge të vjetër dhe për të hapur një rrugë të re, duhet të merrni pjesë drejtpërdrejt për të çuar në çdo derë mesazhin e shpresës, për të mbjellë në çdo zemër dhe në çdo mendje farën e besimit se Shqipëria është një dhuratë bujare e Zotit, që ne nuk mund ta shpërdorojmë. Në këtë Shqipëri ne mund të bëjmë gjithçka që duhet që të mos i kemi zili asgjë fqinjëve tanë, përkundrazi”, - tha kryesocialisti Edi Rama.

22 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›